Lidhje

Preçi: Telefonia celulare, duopol - 2004-12-19


Monopolet janë një pengesë e madhe për zhvillimin e biznesit dhe kjo është e vërtetë për çdo vend, duke përfshirë Shqipërinë. Natyrisht, në Shqipëri problemi është veçanërisht serioz pasi monopolet e atjeshme duket se janë të lidhur ngushtë me politikën. Për të biseduar mbi këto probleme, kolegia Rudina Dervishi bisedoi me zotin Zef Preçi, kryetar i Autoritetetit të Konkurrencës në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Shkurtimisht, a ka lidhje vizita juaj në Uashington me rolin tuaj si kryetar i autoritetit të kokurencës?

Zef Preçi Ndodhem në Washington me ftesë të kryetares së komisionit federal të tregëtisë, agjencisë antimonopol të Shteteve të Bashkuara në kuadrin e përpjekjeve për të vendosur bashkëpunim ndërmjet të dy institucioneve, për të parë mundësitë e përfshirjes së autoritetit shqiptar të konkurencës në projektet e agjencisë amerikane në rajon, si dhe për të përfituar nga ekspertiza që kanë Shtetet e Bashkuara nga përvoja e gjatë që kanë në ndërshkimin e praktikave antimonopol në vendet e ndryshme.

Zëri i Amerikës: Ku ndryshojnë ligjet amerikane antimonopol nga ligjet shqiptare?

Zef Preçi Legjislacioni shqiptar për autoritetin e konkurencës synon në mbrojtjen e konkurencës, ka të bëjë kryesisht me ndëshkimin e marrëveshjeve të ndaluara, domethënë në rastet kur sipërmarrës të ndryshëm apo bashkime sipërmarrësish vendosin për të fiksuar çmimet ose për të ndarë tregjet, ka të bëjë me ndërshkimin e abuzimit me pozitën dominuese domethënë kur dikush kontrollon tregun dhe vendos çmime të cilat cënojnë interesat e konsumatorëve, si dhe me shqyrtimin e rasteve kur firmat apo ndërmarrjet bashkohen dhe kjo çon në situata monopolistike. Në rastin e legjislacionit tonë, ndërshkimi ka të bëjë kryesisht me vendosjen e gjobave, pra është një përshtatje e legjislacionit evropian, të ligjit evropian të konkurencës, kurse legjislacioni amerikan parashikon ndërshkime në gjoba shumë të mëdha nga 10 deri në 100 milion dollarë, si dhe mbi të gjitha ka fuqi penalizuese pra ndërshkon me dënimin nga tre deri në 10 vjet në burg të atyre që kërcënojnë konkurencën, pra cënojnë interesat e konsumatorëve.

Zëri i Amerikës: A do të ketë ndonjë adoptim të ligjeve apo do të vazhdohet me këtë legjislacion?

Zef Preçi Shpresojmë se në kuadrin e bashkëpunimit me komisionin federal të tregëtisë do të përfitojmë ekspertizë për të parë edhe mundësitë e rishikimit të legjislacionit tonë për të rritur fuqinë penalizuese, me qëllim që të mbrohen interesat e konsumatorëve.

Zëri i Amerikës: Sa e vështirë është puna juaj në një kohë që në Shqipëri ekziston në një shkallë të gjerë ekonomia informale?

Zef Preçi Autoriteti i konkurencës është një agjenci e re, më e reja e krijuar. Ky institucion ekziston në rreth 100 vende. Në rastin tonë natyrisht përballet me vështirësi të natyrave nga më të ndryshme që kanë të bëjnë kryesisht siç e thatë edhe ju me shkallën e gjerë të ekonomisë informale, me mos dallimin qartë të konfliktit të interesave, pra të mpleksjes interesave ekonomike, politike e me rradhë, si dhe me faktin që një numër monopolesh natyrore të trashëguara nga periudha e socializmit akoma nuk janë përshtatur si të thuash dhe përsëri ka situata të tilla të cilat çojnë në cënimin e interesave të konsumatorëve.

Zëri i Amerikës: Le të marrim disa shembuj konkret nga Shqipëria: nafta dhe telefonia celulare janë produkte dhe shërbime ku njerëzit e shikojnë rritjen e çmimit, e ndjejnë atë në kurrizin e tyre. A kemi të bëjmë këtu me monopole, apo konkurenca nuk po funksionon siç duhet?

Zef Preçi E vërteta është se në sektorin e energjisë mpleksen njëkohësisht si masat liberalizuese pra dhe ka progres në këtë fushë, pra në treg konkurojnë më shumë se një apo dy kompani, pra ka një numrë kompanish por në të njëjtën kohë mplekset edhe kriza botërore e naftës që ka qënë evidente këto muajt e fundit. Nga ana tjetër këta janë sektorë në të cilët ndërthurja e madhe e interesave, përfshirë ato politike, bën që të ketë shenja të përpjekjeve për të kontrolluar apo për të reflektuar në mënyrë të njëanëshme ndryshimet në tregun botëror. Në këtë kuptim ka qënë objekt i punës tonë dhe instrumenti jonë legal është dhënia e rekomandimeve, opinioneve drejtuar instancave shtetërore përkatëse si dhe bërja publike e tyre mbi masat që duhen marrë për të shëruar gjendjen apo për të minimizuar efektet negative tek qytetarët. Përsa i takon telefonisë celulare, juve e dini se procesi i privatizimit ka ndodhur përmes transferimit të pronës shtetërore, pra të kompanisë shtetërore AMC në një kompani private të huaj dhe më vonë është liçensuar një operator i dytë. Shqipëria ndodhet në një situatë duopoli, domethënë tregu zotërohet kryesisht nga dy operatorë të cilët më shumë sesa prodhojnë konkurencë që të çojë në ulje të çmimeve dhe në dobi të konsumatorit, ndajnë tregun dhe përfitojnë nga pozicioni strategjik, nga pozicioni i tregut në të cilin ndodhen. Ka një vullnet të qeverisë por edhe presion publik edhe nga qarqet ndërkombëtare që të kapërcehet kjo situatë, kryesisht përmes politikave liberalizuese si dhe nxitjes së futjes në treg të operatorëve të tjerë. Shpresohet që kjo të jetë një gjë kalimtare dhe të mos vazhdojë shumë gjatë.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri është bërë diçka e zakonshme të dëgjosh që një ministër është i lidhur me naftën, një me bananen, me hekurin e kështu me radhë. Sa serioz është ky problem në një kohë që askush nga qarqet politike nuk vihet para përgjegjësisë?

Zef Preçi E vërteta është që ku ka tym ka zjarr. Domethënë edhe pse ka mjaft debat përsëri këto çështje mbeten problematike. Vendosja e çështjes së abuzimit me pozitën dominuese në treg apo lidhjeve të tërthorta midis politikës dhe grupeve të caktuara të biznesit, është një problem shqetësues edhe që mendoj se do të bëhet edhe më shqetësues pasi dihet që monopolet kur abuzojnë me pozitën e tyre në treg shndërrohen në pengesa për zhvillim, për integrim, për mirëqënie. Në këto kushte ky problem do të vijë duke u rënduar dhe shpresoj që në debatin politik qytetar, mediatik por edhe institucional si dhe në funksion të integrimit të vendit, pra të zbatimit të marrëveshje së asocim-stabilizimit, hap pas hapi do të vijnë duke u zbardhur ekonomia, pra duke u minimizuar ekonomia informale, duke u qartësuar konflikti i interesave dhe duke u bërë më të drejtëpërdrejta goditjet ndaj abuzimeve me pozitën dominuese në treg në rastin e monopoleve apo shpërdorimeve të detyrës të funksionarëve të lartë publik.

XS
SM
MD
LG