Lidhje

Djankov: Vende me tregje të vogla, si Shqipëria, duhet t'i dyfishojnë reformat  - 2004-12-20


Me synimin për të nxitur reformat dhe për të përmirësuar kushtet e zhvillimit të biznesit në vende të ndryshme të botës, IFC Korporata Ndërkombëtare Financiare ka publikuar kohët e fundit botimin e përvitshëm ”Doing business”. Sa e lehtë është të zhvillosh biznes në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit dhe cilët janë disa nga faktorët që nxisin dhe pengojnë zhvillimin e biznesit? Për këto dhe çështje të tjera, kolegia jonë Laura Konda bisedoi me një nga autorët e botimit, zoti Simeon Djankov, Menaxher në Departamentin e Analizave pranë IFC:

Zëri i Amerikës: Zoti Djankov, ju jeni një nga autorët e botimit ”Doing business”. Çfarë synimi keni patur me publikimin e këtij botimi?

Simeon Djankov: Synimi ynë me këtë botim është nxitja e reformave dhe përmirësimi i kushteve në vende të ndryshme të botës, si për biznesin brenda vendit, edhe për investimet nga jashtë. Ne studjojmë se cilët sektorë të ekonomisë po refomohen dhe përse janë ato të suksesshme. Ky është një publikim i përvitshëm, ky është botimi i dytë dhe shtatorin e ardhshëm do të nxjerrim të tretin. Ky botim nuk ka për objektiv vetëm krahasimin e vendeve të ndryshme, por edhe të përcaktojë se në çfarë fushash kryhen reformat. Një nga përfundimet e arritura është se vende me tregje të vogla, si Shqipëria, që nuk mund të tërheqin një numër të madh investitorësh, duhet të dyfishojnë reformat në krahasim me vende të tjera më të mëdha, në mënyrë që të tërheqin investimet. Krahasimi i Shqipërisë bëhet me vende si Sllovakia, apo Lituania, që janë gjithashtu ekonomi në tranzicion, por më të suksesshëm se Shqipëria. Pra, krahasimi nuk bëhet me Serbinë, apo me Bullgarinë për shembull, se ato janë vende relativisht të mëdha, ku është fjala për tërheqjen e numri të investitorëve.

Zëri i Amerikës: Cilët janë disa nga treguesit që keni përdorur për të përcaktuar se sa tërheqës është për biznesi në një vend?

Simeon Djankov: Çështja e parë është se sa e lehtë është të fillosh një biznes dhe, për të hapur një biznes të ri në Tiranë, të themi, sa e lehtë do të jetë ta financosh atë, të punësosh njerëz të rinj, si dhe për ta drejtuar bisnesin, si mund të sigurohet një liçencë biznesi, dhe proçedura të tilla administrative, të nevojshme për të zhvilluar biznes, pra krahasimi mes vendeve të ndryshme. Ndër treguesit bazë është gjithashtu zgjatja e procedurës për të filluar një biznes dhe sa kushton fillimi i një aktiviteti biznesi. Dhe deri vitin e kaluar, në Shqipëri kushtonte shumë për të filluar zyrtarisht një biznes, tre herë më shumë se sa do të kushtonte në Bullgari, për shembull, dy herë më shumë se sa do të kushtonte në Rumani. Me reformën e rëndësishme që filloi pranverën e vitit të kaluar, tani Shqipëria mund të krahasohet me Bullgarinë, kur është fjala për kohën që nevojitet për të filluar një biznes, rreth një vit, dhe kushton rreth gjashtëqind dollarë. Kjo ishte një reformë e rëndësishme. Po kështu, sistemi i gjykatave është përmirësuar, përsa i përket shpejtimit të këtij prosesi. Më parë duheshin rreth dy vjet vetëm për fillimin e bizneseve shumë të thjeshta, relativisht një vit të themi në Bullgari, por vetëm gjashtëdhjetë ditë në Gjermani. Pra, ka ndryshime shumë domethënënëse, dhe ka patur mjaft përmirësime, por kjo nuk ka çuar në ndonjë përmirësim të dukshëm përsa i përket pakësimit të kohës.

Zëri i Amerikës Në rajonin e Evropës Juglindore, si renditet Shqipëria në krahasim me vendet e tjera përsa i përket kushteve për zhvillimin e biznesit?

Simeon Djankov: Shqipëria, gjatë pesë ose dhjetë vjetëve të fundit ka patur një rritje mbresëlënëse, ritmet më të shpejta të rritjes ekonomike të çdo vendi në tranzicion të rajonit; kjo spjegohet pjesërisht nga përmirësimi i biznesit në disa fusha, krjimi i kushteve për hapjen e firmave të reja, përpjekjet për të pakësuar korrupsionin në administratë, por gjithka ka filluar nga një nivel tepër i ulët zhvillimi, prandaj, duhet bërë shumë më tepër, për të ecur me të njëjtat ritme dhe për të arritur vende të tilla, si Bullgaria, Rumania, dhe natyrisht, edhe vende të tjera të Evropës Lindore dhe Qëndrore. Pra, mund të them se në Shqipëria reforma është me të vërtetë mbresëlënëse, por, mbetet shumë për të bërë. Po ashtu, legjislacioni në Shqipëri mund të them se është i pabalancuar. Atje ka një aktivitet të madh legjislativ, ndoshta më tepër se sa duhet, por jo gjithshka shkon drejt përmirësimit. Interesante në këtë pjesë të botës është se në një numër vendesh reformën e ka nxitur proçesi i integrimit në BE, Shqipëria nuk ka qenë një vend i tillë, ngaqë nuk ka qenë e përfshirë në procesin e integimrit, dhe ne kemi theksuar se ideja e pranimit në BE i ka nxitur vende si Sllovakia, Polonia, Hungaria të kryejnë mjaft reforma. Fakti që Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë proces, i ka bërë më të vështira reformat.

Zëri i Amerikës: Ndër treguesit që keni përdorur, cilët prej tyre kanë më shumë peshë?

Simeon Djankov: Ndër treguesit me më shumë peshë janë, si ta fillosh një firmë, si ta zgjerosh atë, kërkesat e financimit, liçensat për biznes, zgjerimin i tij, dhe në se ajo nuk del e sukseshme siç kishim shpresuar, si ta mbyllim atë. Procesi më i rëndësishëm, ndoshta që gjejmë në këtë raport, është institucioni i gjykatës. Në se sistemi i gjykatës është i mirë, kjo i lehtëson kushtet për nënshkrimin e kontratave të biznesit dhe në të kundërtën, në se investitorët mendojnë se ky sistem nuk është efiçent, por është i korruptuar, ose të dyja bashkë, siç ndodh në disa vende si Shqipëria, atëhere kjo çon në pakësimin e aktivitetit ekonomik në vend. Pikërisht një nga përfundimet kryesore që kemi theksuar në botimin ”Doing business” është se sistemi i gjyqësor i një vendi duhet të jetë efiçent, dhe jo i korruptuar, përndryshme reformat që do të ndërmeren atje do të jenë shumë të kufizuara.

Zëri i Amerikës: Në çfarë treguesish është më mirë dhe në çfarë treguesish është më keq Shqipëria, e krahasuar me vende të tjera të rajonit, si Serbia, maqedonia, Bullgaria, Rumania, Kroacia?

Simeon Djankov: Deri tani, në Ballkan, Bullgaria konsiderohet si të thuash, ylli i reformave, Shqipëria ka shënuar një sërë suksesesh, dhe ndoshta do të konsiderohet edhe ajo si një yll përsa i përket reformave, kur është fjala për shembull për një nga masat e kohëve të fundit, rregulloren e punësimit, por kur është fjala për zhvillimin e bisnesit, ajo ka mungesa sidomos në legjislacionin dhe drejtimin e biznesit. Megjithatë, ajo paraqitet në këtë fushë më mirë se Rumania, Serbia, Maqedonia dhe në disa vende të tjera.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni është një nga pengesat kryesore në biznes. Në treguesit tuaj, sa problematike është Shqipëria e krahasuar me vendet e tjera të rajonit?

Simeon Djenkov: Korrupsioni është një nga të këqiat që pengon ardhjen e investitorëve, ai pengon jo vetëm kur është fjala për miratimin e ligjeve, por gjithashtu për të përmirësuar perceptimin për një vend. Në këtë aspekt, vendet ballaknike kanë patur mjaft probleme, për shkak të trashëgimisë së socializimit dhe periudhës së gjatë të tranzicionit. Bullgaria për shembull, kohët e fundit është përmedur si një vend që e ka luftuar me sukses korrupsionin. Shqipëria është një rast i ndërmjetëm. Janë marrë masa për të luftuar korrupsionin në admistratë, por korrupsioni në jetën e përditshme, korrupsioni në radhët e zyrtarëve të lartë dhe në gjykatë vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur. Kjo theksohet qartë edhe në raportin tonë.

XS
SM
MD
LG