Lidhje

Disa ilaçe për pakësimin e dhimbjeve mund të rrisin shanset e infarktit - 2004-12-21


Për të tretën herë gjatë muajve të fundit, shkencëtarët amerikanë kanë paralajmëruar se një medikament që përdoret gjërësisht për pakësimin e dhimbjeve mund të rrisë shanset e një goditje në zemër. Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë paralajmëruan pacientët të mos marrin doza të larta të ilaçit naproxen ose ta përdorin atë më shumë se 10 ditë pa recetë nga mjeku sipas rezultateve të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë.

Naproxen përdoret gjerësisht për pacientët me artrit për të ulur dhimbjet. Javën e kaluar, ilaçi Celebrex i kompanisë Pfizer u gjet se ka lidhje me rritjen e rrezikut për goditje në zemër në se merret në doza të larta. Në shtator kompania farmaceutike Merck hoqi nga tregu amerikan ilaçin Vioxx pasi u zbulua se ai shkaktonte probleme në zemër. Disa mjekë dhe shkencëtarë thonë se ka nevojë për studime të mëtejshme. Për të tretën herë gjatë muajve të fundit, studiuesit amerikanë po paralajmërojnë se një ilaç shumë i përdorshëm në Shtetet e Bashkuara për lehtësimin e dhimbjeve mund të rrisë shansin për infarkt, ose hemoragji cerebrale. Bëhet fjalë për ilaçin naproxen që jepet me recetë, apo shitet lirisht në farmaci nën emrin Aleve.

Shkencëtarët e zbuluan një gjë të tillë, gjatë një studimi për të gjetur nëse ky ilaç dhe Celebrexi, problemet me të cilin dolën në pah më parë, mund të përdoreshin për të ngadalësuar efektet e sëmundjes së Alcaimerit. Rreth gjysma e 2 mijë e 500 personave të moshuar që ishin pjesë e studimit kishin shprehur shqetësime, dhe për shkak të problemeve me celebrexin, ishte nxitur kryerja e studimit edhe për naproxinën. Zyrtarë të shëndetësisë thonë tani se askush nuk i kishte studiuar më parë efektet afatgjata të ilaçeve si Aleve, apo Motrin dhe Advil. Zbulimi i fundit ka krijuar alarm, pas problemeve të shfaqura me Celebrexin para një jave dhe me Vioxxin në shtator. Meqenëse kompanitë që prodhonin këto barna, i reklamojnë ato vazhdimisht, një nga masat për të parandaluar përdorimin e tyre është heqja e reklamave në televizion. Deri më sot në Shtetet e Bashkuara, ishte e mundur që të mos shihje në televizor reklamat për ilaçin Celebrex. Vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti, kompania farmaceutike Pfizer shpenzoi mbi 70 milionë dollarë në reklama, kryesisht në televizion. Sot Administrata e Ushqimit dhe Barnave tha se i kishte kërkuar Pfizerit që të pezullojë me dëshirë reklamimin e Celebrexit.

Disa shoqata konsumatorësh thonë se ilaçi duhej të ishte nxjerrë komplet nga qarkullimi. Pyetja që shtrohet është nëse duam t’i ndalojmë të gjitha infarktet në zemër që shkaktohen nga celebrexi, apo vetëm një pjesë të tyre. Nëse nxjerrim nga qarkullimi reklamat, një pjesë e tyre do ndalohen, por jo të gjitha. Si administrata e ushqimit dhe barnave, ashtu edhe kompania Pfizer thonë se nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme që të justifikonin nxjerrjen krejtësisht nga qarkullimi, siç ndodhi me Vioxxin, një ilaç tjetër për dhimbjen, para disa muajsh. Pfizer e mbron vendimin e vet që të vazhdojë të shesë Celebrex duke u mbështetur tek studimi që tregon se vetëm ata që e kanë marrë në doza të larta, ishin shumë të ekspozuar ndaj infarkteve.

Reklamat janë ndërkohë thelbësore për fitimet e kompanive të barnave. Ekspertët e shëndetësisë thonë se pacientët që nuk kanë në të vërtetë nevojë për këto produkte, shohin reklamat në televizion dhe këmbëngulin që t’i marrin. Dhe gjithnjë e më shumë kjo kërkesë drejton mënyrën sesi shkruhen recetat, qoftë sepse ne mjekëve na është mbushur mendja se ilaçi duhet përdorur, apo sepse pacientët vijnë, na thonë për reklamën. Dhe ndoshta nuk është mënyra më e mirë për dhënien e recetave. Kështuqë nuk më vjen keq që do të ketë më pak të tilla për celebrexin. Administrata e Ushqimit dhe Barnave thotë se vendimi për të ndaluar reklamat është vetëm një masë kalimtare, që do të thotë se po shqyrton mundësinë për të ndaluar një produkt, që është përdorur nga miliona vetë për të lehtësuar artritin.

XS
SM
MD
LG