Lidhje

Shqipëria dhe Serbia e Mali i Zi, të ndarë për çështjen e Kosovës - 2004-12-22


Shqipëria dhe Unioni Serbi Mali i zi ndajnë qëndrime të kundërta lidhur me të ardhmen e Kosovës. Ministri i jashtëm serbo-malazez Vuk Drashkovic foli të mërkurën në Tiranë për mosndryshim të kufijve dhe për një Kosovë në kuadrin e unionit. Nga ana e tij ministri i jashtëm shqiptar Kastriot Islami deklaroi se statusi i ardhshem i Kosovës duhet të përcaktohet nga vetë qytetarët e saj dhe se vendimi përfundimtar do të duhet të merret nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Çështja e Kosovës vazhdon të mbetet një pikë përplasjeje mes Tiranës dhe Beogradit. Ministrat e jashtëm të të dy vendeve, Kastriot Islmai e Vuk Drashkovic, ndërsa flisnin për një forcim të marrëdhënieve dypalëshe, ishin shumë larg njëri-tjetrit përsa i përket të ardhmes së Kosovës.

Të dy u shprehën për një perspektivë europiane, por me konceptime tërësisht të ndryshme. Sipas ministrit Drashkovic, Kosova, e cila është një plagë e hapur tha ai, duhet të ketë një të ardhme europiane në kuadrin e Unionit Serbi-Mali i zi:

"Por mendoj se ilaçi për këtë plagë është statusi europian i Kosovës dhe Metohisë në kuadrin shtetëror të Serbisë dhe Malit të zi, dhe konform kartës së OKB-së e cila kërkon që kufijtë mes shteteve nuk mund të ndryshojnë. Ky status europian i Kosovës – vazhdoi Ministri Drashkoviç - nënkupton nivel europian të mbrojtjeve të pakicave, model europian të decntralizimit të pushtetit, shkallën më të lartë të vetadministrimit lokal, autonomi ekonomike dhe politike për komunat dhe qytetet".

Sipas modelit të Beogradit duhet të ketë një status europian të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Serbisë me Shqipërinë që do të thotë, sipas ministrit Drashkoviç se "këto kufij s’mund të ndryshojnë dhe tjetërsohen por e ardhmja shtoi ai thotë që këto kufij të jenë të padukshë, joekzistentë në terren, për ekonominë, kapitalet dhe kulturën".

Tirana nga ana e saj flet për perspektivën europiane të Kosovës, por pa përjashtuar në asnjë mënyrë faktorët e tjerë ndërkombëtar si Shtetet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit në vendimarrjen për statusin e ardhshëm të saj. Sipas ministrit të jashtëm shqiptar Kastriot Islami nevojitet:

"Një zgjidhje që vjen nga të gjitha grupet politike dhe etnike në Kosovë bazuar në standarte ndërkombëtare që i japin perspektivë europiane asaj dhe natyrisht vendimarrja në Këshillin e Sigurimit".

Tirana dhe Beogradi firmosën sot dy marrëveshje dhe shpresojnë të nënshkruajnë dhe të tjera në të ardhmen. Ministri Drashkoviç deklaroi se cështja e Kosovës nuk duhet të jetë peng i marrëdhënieve mes dy vendeve, por përsa kohë qëndrimet për këtë pikë janë të kundërta, atëherë dhe raportet dypalëshe do të ndikohen në mënyrë të pashmangshme nga problemi i zgjidhjes së statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG