Lidhje

Irak: trupat amerikane përleshen me kryengritësit në Falluxha - 2004-12-23


Trupat amerikane zhvilluan përleshje me kryengritësit në ish bazën e kryengritësve në Falluxha, ndërsa banorët po prisnin të rihynin në qytet për herë të parë që pas ofensivës për të shtypur kryengritësit në muajin nëntor.

Aeroplanët dhe tanket amerikane bombarduan sot disa pjesë të qytetit duke penguar kthimin e rreth 200 familjeve. Qeveria e përkohshme e Irakut priste që sot të ktheheshin rreth 2 mijë familje, megjithë infrastrukturën e shkatërruar të qytetit.

Para fillimit të ofensivës nga Falluxha u larguan mbi 200 mijë familje. Ata kanë jetuar në çandra përreth qytetit dhe në fshatrat aty pranë gjatë 7 javëve të kaluara.

Tre marinsa u vranë sot në provincën al-Anbar, pjesë e së cilës është edhe Falluxha. Ushtria nuk tha se ku konkretisht u vranë ata, por vdekjet u njoftuan ndërkohë që në qytet po zhvilloheshin përleshje. Po ashtu, ushtria amerikane po zhvillon hetime lidhur me mënyrën e futjes së personit që dyshohet se kreu sulmin vetëvrasës në bazën amerikane pranë Mosulit, gjatë të cilit u vranë 22 vetë.

XS
SM
MD
LG