Lidhje

Afganistani kap udhëheqës të rëndësishëm talebanë - 2004-12-24


Zyrtarët afganë thonë se kanë kapur disa udhëheqës talebanë, përfshirë Mullah Nakibullah Khanin. Ai ishte shefi i sigurimit nën ish udhëheqësin e regjimit taleban, Mullah Muhamed Omar, i cili tani është në arrati. Khalid Pashtuni, zëdhënësi i autoriteteve në qytetin jugor afgan të Kandaharit, tha se mbeturinat e regjimit taleban të komanduara nga Mullah Nakibullahu përbënin kërcënim serioz për krahinën.

Para tre apo katër muajsh, theksoi zoti Pashtuni, ata i zunë pritën një makine të qeverisë lokale dhe vranë të gjithë njerëzit që ishin në të. Ata kanë kryer edhe një numër operacionesh kundër forcave të koalicionit.

Njoftohet se Nakibullah Khani dhe zëvendësi i tij, Mullah Kajum Angar, u kapën në afërsi të Kandaharit. Shefi i policisë së Kandaharit, Khan Muhamed, tha se arrestimi i Nakibullahut do të ndihmojë shumë përpjekjet për parandalimin e sulmeve me bomba dhe ndalimin e veprimtarisë kryengritëse në Kandahar për shkak se ai ishte organizuesi kryesor i sulmeve të tilla. Njoftohet se forcat afgane kanë kapur edhe tetë persona të tjerë të dyshuar si kryengritës talebanë në krahinën fqinje të Uruzganit.

Gjeneral-lejtnanti David Barno, komandanti i forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan, tha se kapja e udhëheqësve talebanë dhe dështimi i lëvizjes Taleban për të bllokuar zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale afgane kanë tronditur shumë moralin e mbeturinave të ish regjimit taleban.

“Ne, theksoi gjenerali Barno, shohim shenja argumentesh edhe në radhët e udhëheqjes së lartë talebane nëse është koha të pranojnë pajtimin me qeverinë afgane.”

Presidenti Hamid Karzai u ka bërë thirrje përkrahësve të ish regjimit taleban të heqin dorë nga dhuna dhe të marrin pjesë në procesin e rindërtimit të Afganistanit. Por, zoti Karzai do t’i cilësojë disa kryengritës talebanë si të parehabilitueshëm. Një listë e këtyre ekstremistëve do t’u jepet edhe autoriteteve pakistaneze.

“Pasi të përfundohet hartimi i listës, tha gjenerali Barno, ne do të shohim fillimin e përpjekjeve nga të dyja vendet për t’i arrestuar dhe sjellë para drejtësisë ata individë.”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Afganistan, Zalmej Khalizad, tha se vazhdimi i qendresës së armatosur kundër qeverisë së zgjedhur është kundër vullnetit të popullit afgan. Afganistani, ka thënë Nënmpresidenti Dik Çeni, nuk do të kthehet kurrë më në kampin e tiranisë dhe terrorit.

XS
SM
MD
LG