Lidhje

Iraq: një sulm terrorist lë 22 të vdekur në Mosul - 2004-12-25


Një sulm terrorist kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak la të paktën 22 vetë të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Më 21 dhjetor, një shpërthim goditi një tendë të mbushur me ushtarë që po hanin drekë në një bazë pranë qytetit Mosul. Grupi ekstremist mysliman suni Ushtria e Ansar al-Sunait mori përgjegjësinë për sulmin.

Terroristë të huaj dhe mbeturinat e diktaturës së Sadam Huseinit po i intensifikojnë sulmet kundër qytetarëve irakianë dhe forcave të koalicionit në përpjekje për të bllokuar zgjedhjet kombëtare të 30 janarit në Irak. Presidenti Bush thotë se vazhdimi i dhunës në Irak është bërë një mjet i efektshëm propagande. Por koalicioni, theksoi ai, është i vendosur që zgjedhjet të zhvillihen në kohën e caktuar: “Në përpjekje për të ndihmuar qeverinë irakiane të garantojë sigurinë gjatë periudhës së zgjedhjeve, ne do ta rrisim praninë ushtarake amerikane në atë vend. Forcat e koalicionit do të vazhdojnë t’i ndjekin terroristët dhe kryengritësit. Ne, theksoi Presidenti Bush, do të vazhdojmë strërvitjen e forcave irakiane të sigurimit në mënyrë që populli irakian të marrë më në fund përgjegjësinë për sigurinë e tij.”

Iraku ndodhet në një moment kritik të historisë së tij. Ndërkohë që populli irakian shkon drejt vetëqeverisjes, terroristët po bëhen gjithnjë e më aktivë dhe më mizorë. “Është një betejë e ashpër me pengesa e dështime, thotë kryeministri irakian, Ijad Allaui, por ne po e fitojmë atë.” Suksesi i lirisë irakiane, thotë Presidenti Bush, është një hap shumë i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Sulme të tilla si vrasjet brutale në Mosul nuk do t’i pengojnë Shtetet e Bashkuara apo aleatët e tyre që të vazhdojnë punën për sigurinë dhe lirinë e popullit irakian. Procesi demokratik i Irakut do të ecë përpara dhe vrasësit terroristë do të mposhtën.

XS
SM
MD
LG