Lidhje

Presidenti Bush dërgon mesazhe urimi me rastin e Krishlindjeve - 2004-12-25


Në një mesazh radiofonik me rastin e Krishtlindjeve, Presidenti Bush tha se trupat amerikane në Afganistan dhe në Irak po mbrojnë Shtetet e Bashkuara nga rreziku. Siç njofton korrespondenti ynë pranë Shtëpisë së Bardhë, Scott Stearns, edhe demokratët e opozitës u shprehën me vlerësime të larta për trupat amerikane dhe bërë thirrje për unitet në legjislaturën e ardhëshme të Kongresit që fillon në janar.

Presidenti Bush tha se ai dhe zonja e Parë, Laura shpresojnë se Krishtlindja do të jetë një moment gëzimi dhe paqeje, që ofron një rast për të pushuar dhe reflektuar ndërkohë që njerëzit e hedhin vështrimin drejt vitit të ri që po vjen.

Gjatë këtyre ditëve, tha Presidenti Bush, burrat dhe gratë që shërbejnë në ushtri janë në mendjen dhe në lutjet e tij, sidomos ata ushtarë që janë në detyrë, larg familjeve dhe miqve. //

"Në Afganistan, Irak dhe kudo tjetër, këta amerikanë të aftë dhe të guximshëm janë duke luftuar kundër armiqve të lirisë dhe duke mbrojtur vendin tonë nga rreziku. Duke u sjellë liri njerëzve të shtypur, trupat tona po ndihmojnë që të fitohet lufta kundër terrorit dhe po mbrojnë lirinë dhe sigurinë e të gjithë neve. Ata dhe familjet e tyre po bëjnë shumë sakrifica për vendin tonë dhe për këtë, amerikanët u janë thellësisht mirënjohës," tha Presidenti.

Mijra ushtarë amerikanë po shërbejnë jashtë vendit gjatë këtyre ditëve të festave, duke përfshirë këtu 150 mijë trupa që janë në Irak. Në vigjilje të Krishtlindjeve, Presidenti u telefonoi 10 ushtarëve në vende të ndryshme të botës, nga Iraku në Korenë e Jugut dhe në Kaliforni, duke i falenderuar ata për shërbimin e tyre.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Zoti Bush tha se koha në të cilën jetojnë amerikanët i ka sjellë vendit sfida të shumta. Në kohë të tilla, tha ai, historia e Krishtlindjeve sjell ngushëllim dhe besim të veçantë për të gjithë.

Në fjalimin e demokratëve në radio, guvernatori i shtetit New Mexico, Bill Richardson, ish ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB, tha se askush nuk e plotëson më mirë atmosferën e Krishtlindjeve se sa burrat dhe gratë që shërbejnë në ushtrinë amerikane jashtë vendit.

"Trupat tona nuk e venë në pikëpyetje arësyen as nuk kërkojnë shumë si shpërblim. Ato mbrojnë tokën tonë me vlerat e përbashkëta të patrotizmit, të komunitetit dhe të dashurisë për vendin. Kështu, trupat tona të guximshme duhet të dinë se vendi ynë flet me një zë të vetëm kur ne shprehim mirënjohjen tonë. Ato duhet ta dinë se ne e shprehim një mirënjohje të tillë duke e kuptuar plotësisht se kjo mirënjohje as që mund të krahasohet me madhështinë e dhuratës së tyre për ne, përmes angazhimit të tyre të patrembur ndaj këtij vendi, arritjet e të cilit ne shpesh i marrim si diçka e natyrshme."

Guvernatori Richardson tha se vendi ka përballë sfida dhe probleme të shumta në aspektin e brendshëm. Aftësia për t’i kapërcyer ato, tha ai, varet nga aftësia e amerikanëve për të punuar së bashku pa pyetur për përkatësitë politike.

Guvernatori tha në komentet e tij se pavarësisht se për kë votuan amerikanët në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, pavarësisht nga raca, feja apo ngjyra, një e vërtetë konstante mbetet gjatë gjithë historisë së Amerikës, se një vend i bashkuar është një vend më i fortë.

Presidenti dhe zonja Bush i kaluan Krishtlindjet në vendpushimin presidencial Camp David pranë Washingtonit. Nesër, ata shkojnë në fermën e tyre të Teksasit ku do të qendrojnë deri në fillimin e vitit të ri.

XS
SM
MD
LG