Lidhje

Shoqata Gazetarët pa Kufij nderon shkrimtarin kinez Liu Shaobo - 2004-12-26


Shoqata Gazetarët pa Kufij, një grup që nxit lirinë e shtypit, nderoi shkrimtarin kinez Liu Shaobo si mbrojtës të lirisë së shtypit. Ish profesor i Universitetit Normal të Pekinit, zoti Liu kryeson Qendrën e pavarur kineze Pen, një shoqatë shkrimtarësh që e cilëson veten si të përkushtuar për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të shkrimtarëve që vuajnë nga shtypja qeveritare.

Sipas shoqatës Gazetarët pa Kufij, Liu Shaobo është i vendosur që mjetet kineze të informimit të shërbejnë si kundërpeshë ndaj Partisë shumë të fuqishme Kominuste të Kinës. Ai punon pa pushim për idealin universal të lirisë së shtypit dhe bën thirrje për lirimin e gazetarëve dhe të disidentëve të burgosur të internetit.

Zoti Liu është një veprimtar i të drejtave të njeriut që i ka bërë thirrje qeverisë kineze të japë llogari për veprimet e saj. Ai është ndaluar, arrestuar dhe dënuar në mënyrë të përsëritur për veprimtaritë e tij paqesore politike, përfshirë pjesëmarrjen në lëvizjen prodemokracisë të vitit 1989, e cila mori fund kur ushtria kineze përdori forcën kundër demonstratave paqesore në Sheshin Tiananmen të Pekinit dhe pjesëve të tjera të vendit në qershor të vitit 1989.

Në vitin 1996, Liu Shaobo u dënua me tre vjet punë të detyrueshme nën akuzat se kishte kritikuar Partinë Komuniste kineze. Dhe në fillim të këtij muaji, ai u ndalua për pak kohë dhe u mor në pyetje në lidhje me artikujt që kishte shkruar për faqe interneti jashtë Kinës.

Duke ngritur zërin për një shoqëri të hapur në Kinë, thotë Vincent Broseli i shoqatës Gazetarët pa Kufij, Liu Shaobo vazhdon të rrezikojë lirinë e tij personale: “Ai po përballet me një rrezik real. Zoti Liu vazhdon prej vitesh betejën për lirinë e shprehjes.”

Gjatë viteve të fundit, qeveria kineze ka ndërmarrë disa hapa pozitivë në luftën kunër korrupsionit dhe për zgjerimin e sigurimeve shoqërore. Por, gjendja e të drejtave të njeriut në Kinën vazhdon të jetë e rëndë dhe njerëzit që ngrenë zërin për çështje që qeveria i shikon si delikate, janë vazhdimisht në rrezik të arrestohen. Ndihmës-sekretari i përkohshëm amerikan i Shtetit për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punën, thotë se fakti që shohim vazhdimin e praktikës së ndalimit dhe arrestimit të personave që përpiqen të përfitojnë nga hapësira e krijuar prej reformave, është një zhvillim shumë shqetësues.

Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të qendrojnë përkrah qytetarëve kinezë, përfshirë shkrimtarin Liu Shaobo, që vazhdojnë betejën për të drejtat e njeriut.

XS
SM
MD
LG