Lidhje

Viktimat nga tërmeti në  Azi vazhdojnë  të  shtohen - 2004-12-27


Në gjithë Azinë Jugore dhe atë Juglindore vazhdojnë përpjekjet për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga një tërmet aq i fuqishëm sa që efektet e tij u ndien në anën tjetër të Oqeanit Indian.

Sipas statistikave të formuluara deri sot heret në mëngjes, numri i të vdekurve nga tërmeti prej 9 ballësh sipas shkallës Rihter ka arritur në rreth 12 mijë dhe pritet të rritet ndërkohë që ekipet e emergjencave vazhdojnë të gjejnë dhe të identifikojnë trupa pa jetë.

Tërmeti, epiqendra e të cilit ishte pranë ishullit Sumatra të Indonizisë, shkaktoi dallgë gjigande që goditën brigjet e Tajlandës, Indonezisë, Sri Lankës, Indisë dhe atë të kontinentit afrikan në anën tjetër të oqeanit.

Dallgtët deri në 10 metra të larta shkatërruan shtëpi, fundosën barka, i shpërndanë makinat si lodra fëmijësh dhe zhytën viktima të panumërta në det. Ekspertët amerikan thanë se i diktuan dallgët e larta dhe u përpoqën t’i paralajmëronin autoritetet aziatike, por u penguan nga mungesa e një sistemi rajonal alarmi.

Në Sri Lankë, zyrtarët e kanë shpallur bregdetin dhe rajonet përgjatë tij zona të prekura nga katarstofa, duke thënë se numri i të vdekurve ka arritur në 4 mijë e 500. Të paktën një milion të tjerë humbën shtëpitë e tyre.

Zyrtarët në Indonezi thonë se afro 4 mijë e 500 banorë kanë humbur jetën atje, shumica në krahinën Aceh të Sumatrës verilindore.

Autoritetet thonë se 3 mijë vetë humbën jetën në zonat përgjatë bregdetit jugor të Indisë dhe në ishujt Andaman, kurse zyrtarët tajlandezë njoftojnë për 400 të vdekur. Një numë i madh turistësh të huaj janë mes mijëra personave që figurojnë të humbur.

Malazia njoftoi për 42 të vdekur, kurse Maldivet për 32 vdekje. Dhe të paktën 10 veta humbën jetën nga dallgët gjigande që goditën bregdetin lindor të Afrikës, 9 në Somali dhe një në Kenia. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Tim Johnson, njofton nga Xhakarta:

Numri i viktimave vazhdon të rritet ndërkohë që ekipet e shpëtimit arrijnë në zona dhe komunitete të tjera bregdetare në Indi, Sri Lankë, Tajlandë, Maldive dhe në Indonezi. Shërbimet e emergjencave në mbarë rajonin po përpiqen të shpëtojnë të plagosurit dhe t’u sigurojnë banorëve tenda, batanije, ushqim dhe ujë të pijshëm.

Zëdhënësi i presidentit të Indonezisë, Andi Mallararengeng, tha se dëmtimi i mjeteve të komunikimit po i bën edhe më të vështira përpjekjet për të vlerësuar gjendjen. “Kështu që ne po presim për informacione më të sakta”, tha zëdhënësi indoinezian.

Tërmeti goditi të dielen në mëngjes, më shumë se 100 kilometra larg bregdetit të ishullit indonezian të Sumatrës.

Ekspertët amerikanë thonë se ky ishte tërmeti më i rëndë në historinë e Indonezisë dhe më i fuqishmi që nga viti 1900.

Tërmeti shkaktoi dallgë gjigande në një largësi më të madhe se 1 mijë e 500 kilometra deri në anën tjetër të Oqeanit Indian, të cilat shkaktuan dëmet më të mëdha.

Dallgët e larta përfshinë ishujt Maldive, duke lënë pas një tragë vdekjesh dhe shkatërrimesh të përmasave të mëdha.

Një listë e viktimave të tërmetit në një spital të Indonezisë veriore tregon se shumë prej tyre ishin fëmijë, të dobët dhe tepër të vegjël për t’u ngjitur në vende të sugurta.

Indonezia shtrihet në të ashtuquajturin unazë zjarri, një zonë sizimike shumë aktive ku përplasen pllakat e kores së Tokës.

XS
SM
MD
LG