Lidhje

Organizatorët përgatisin ceremoninë presidenciale mes shqetësimeve për terrorizmin dhe protestat - 2004-12-27


Masat e sigurisë pritet të jenë tepër të forta në Uashington në ceremoninë kur presidenti Bush do të marrë mandatin e dytë më 20 janar. Ndërsa afrohet dita e inaugurimit, organizatorët janë të shqetësuar nga terrorizmi dhe protestuesit.

Presidenti duket se mezi po pret mandatin e tij të dytë që të fillojë të realizojë disa nga premtimet e fushatës për reformimin e taksave dhe të programit të qeverisë për pensionet të njohur si Sigurimet Shoqërore.

“Më pëlqen t’u dal në ballë problemeve. Më pëlqen të punoj me njerëzit, që të mund të them se lamë pas një Amerikë më të mirë. Mua nuk më mbetet shumë kohë në Washington, kështu që jam i gatshëm të punoj.”

Por para se të fillojë puna e vërtetë, presidenti duhet të bëjë betimin e kërkuar me kushtetutë më 20 janar, një ritual politik amerikan që është zhvilluar çdo katër vjet që kur George Washingtoni bëri betimin si presidenti i parë i vendit në vitin 1789.

Ky do të jetë inaugurimi i parë presidencial që nga sulmet teroriste të vitit 2001 dhe masat e sigurisë do të jenë tepër të rrepta. Zyrtarët e sigurimit nuk i kanë bërë të ditura planet e tyre për t’u përballur me kërcënimet e terrorizmit dhe të protestuesve; megjithatë mijëra policë pritet të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit, paradën dhe ballot zyrtare.

Aktivistët kundër luftës po planifikojnë protesta të gjera në afërsi të vendit të inaugurimit. Gael Murphy është pjesëtari një grupi të quajtur Code Pink, Gratë për Paqe.

“Mendoj se do të jetë e vështirë të prishen ceremonitë. Megjithatë është e rëndësishme që zërat tanë të dëgjohen, jo vetëm nga kjo administratë, por nga e gjithë bota, që njerëzit ta dinë se ne jemi akoma të mobilizuar dhe se i kundërshtojmë akoma politikat e presidentit Bush.”

Historikisht, inaugurimet presidenciale kanë krijuar një mundësi për presidentin e ri apo të rizgjedhur të shërojë përçarjet politike të krijuara nga zgjedhjet dhe të bashkojë vendin. Presidenti Bush u përpoq ta bënte këtë para katër vitesh, pas fitores së tij me rezultat të ngushtë ndaj zotit Al Gore.

“Dhe ky është premtimi im solemn. Unë do të punoj për të ndërtuar një vend drejtësie dhe mundësish,” thotë presidenti.

Presidenti Bush doli kësaj radhe me një fitore më bindëse 51 me 48 ndaj demokratit John Kerry.

Marvin Kratz - historian në Bibliotekën e Kongresit në Uashington thotë se shumë amerikanë e shohin inaugurimin presidencial si një simbol të rëndësishëm të vazhdimësisë së demokracisë.

Megjithatë, disa analistë politikë besojnë se presidenti po përballet me një sfidë tjetër të vështirë në përpjekjet për ta bashkuar vendin pas një fitoreje tjetër me rezultat të ngushtë.

Ekspertët e çështjeve presidenciale thonë se zoti Bush do të përpiqet ta bashkojë vendin gjatë ceremonive të inaugurimit, pavarësisht se kjo mund të jetë tepër e vështirë, meqenëse ndarjet janë thelluar shumë gjatë katër viteve të fundit.

XS
SM
MD
LG