Lidhje

Tërmeti i fundit në Azi, ndodh vetëm një herë në gjysmë shekulli - 2004-12-27


Gjeologët e përshkruan tërmetin e djeshëm në Oqeanin Indian si një tërmet që ndodh një herë në një gjysmë shekulli. Michael Bowman, korrespondent i Zërit të Amerikës bisedoi me një gjeofizikane nga shoqata gjeologjike amerikane, e cila monitoron aktivitetet sizmike rreth botës. Shoqata gjeologjike amerikane thotë se tërmeti 8.9 ballësh që shkaktoi valët shkatërruese tsunami, ose valët e baticës, ndodhi në një thellësi prej 10 kilometrash dhe e kishte epiqendrën në perëndim të ishullit indonezian të Sumatras, diku 1600 kilometra në veriperëndim të Xhakartës. Julie Martinez është gjeofizikane në shtetin amerikan të Kolorados.

“Ky është faktikisht aktiviteti i pestë më i fuqishëm sizmik që nga viti 1900. Është më i madhi që nga tërmeti i Prince William Sound në Alaskë në vitin 1964. Është një ngjarje shumë e rrallë.”

Gjeologët thonë se korja e tokës nuk është shtresë e lëmuar. Përkundrazi ajo është e ndarë në shtatë pllaka kryesore dhe më shumë se dhjetë më të të vogla. Këto shtresa nuk janë të palëvizshme; ata lëvizin dhe fërkohen me njëra tjetrën, duke krijuar ato që njihen si të çara. Me një të çarë, qoshja e një pllake fundoset nën tjetrën. Në raste të tjera, pllakat fërkohen dhe rrëshqasin pranë njëra tjetrës përgjatë së çarës.

Julie Martinez thotë se tërmeti i sotshëm ndodhi përgjatë të ashtëquajturës vijë të Andamanit e cila ndodhet mes disa pllakave në pjesën lindore të Oqeanit Indian.

“Ky tërmet ka ndodhur në një zonë sizmike shumë aktive. Është në vijën e Andamanit, dhe pllakat janë përplasur. Janë përplasur pllakat e Australisë dhe Indonezisë me atë të Birmanisë. Përmasat e këtij tërmeti kanë shkaktuar thyerje prej 1000 kilometrash përgjatë vijës së Andamanit.”

Zonja Martinez thotë se dallgët e shkaktuara nga tërmeti kanë arritur deri në bregdetin e Somalisë, por në një formë më të dobësuar. Janë regjistruar disa lëkundje pasuese, duke përfshirë njërën prej tyre që ishte 7.3 ballë sipas shkallës Richter, e cila lëkundi pjesë të Bangladeshit. Valë tërmeti dytësore janë ndjerë deri në shtetet amerikane të Alaskës dhe Kalifornisë.

XS
SM
MD
LG