Lidhje

Irak: vriten 13 vetë në një sulm vetëvrasës në Bagdad - 2004-12-27


Autoritetet irakiane thonë se të paktën 13 persona u vranë në një sulm me makinë bombë në Bagdad që kishte si objektiv kreun e një prej partive kryesore shiite.

Policia thotë se udhëheqësi i Këshillit Suprem për Revolucionin Islamik në Irak, Abdul Aziz Al-Hakim, shpëtoi i padëmtuar nga shpërthimi para zyrave të partisë.

Autoritetet thonë se mbi 50 vetë u plagosën. Dhjetra makina aty pranë u shkatërruan. Në një zhvillim tjetër, sot një forcë politike kryesore e muslimanëve sunni, Partia Islamike e Irakut, shpalli tërheqjen nga zgjedhjet kombëtare të 30 janarit. Kreu i kësaj partie Mohsen Abdel-Hamid paraqiti si arsye gjendjen e sigurisë, duke thënë se dhuna e vazhdueshme në zonat e mbizotëruara nga myslimanët suni do t’i frikësojë ata dhe t’i detyrojë të mos votojnë. Qeveria e Irakut i ka hedhur poshtë thirrjet e disa grupeve sunni për t’i shtyrë zgjedhjet për 6 muaj.

Kush është Abdel Aziz al-Hakim?

Kleriku irakian shiit Abdel Aziz al-Hakim, që i shpëtoi sot në Bagdad një sulmi me bombë, kryeson listën e një grupi kandidatësh myslimanë shiitë për zgjedhjet e muajit të ardhshëm në Irak.

Kleriku kryeson Këshillin Suprem për Revolicionin Islamik në Irak, një grup prej 200 shiitësh që kandidojnë në zgjedhjet e 30 janarit. Vitin e kaluar, ai drejtoi qeverinë e përkohshme të caktuar nga Shtetet e Bashkuara, që tani është shpërndarë.

Udhëheqësit e Këshillit Suprem u kthyen në Irak në vitin 2003, pasi kishin qenë në mërgim për dy dekada në Iran. Atje, zoti al-Hakim ishte kreu i krahut ushtarak të këshillit, që ndërmerrte sulme kundër regjimit të Saddam Husseinit.

Ai është vëllai i Ayatollah Mohammed Bakir al-Hakimit, që u vra vitin e kaluar në qytetin e shenjtë irakian të Naxhafit. Kundërshtarët e tyre sunni i kishin akuzuar dy vëllezërit si agjentë iranianë, një akuzë që Abdel Aziz Al-Hakim e kishte hedhur poshtë prerazi.

XS
SM
MD
LG