Lidhje

Azia Jugore: Numri i të vdekurve afro 80 mijë - 2004-12-27


Numri i të vdekurve nga tërmeti katastrofik në Azinë Jugore po arrin në 80 mijë, por një zyrtar i lartë amerikan paralajmëron se bëhet fjalë për shumë më tepër viktima.

Kreu i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Andrew Natsios tha sot në një konferencë për shtyp se zyrtarë të agjencisë në rajon thonë se mijëra vetëve nuk u dihet fati dhe në shumë zona është ende e pamundur të shkohet. Zoti Natsios tha se parashikon që numri i të vdekurve në 12 vendet e prekura nga tërmeti të rritet.

Ai përsëriti gjithashtu paralajmërimet se sëmundje si kolera dhe tifoja mund ta rrisin edhe më shumë numrin e viktimave.

Indonezia ka qenë vendi më i prekur nga katastrofa deri tani me 45 mijë të vdekur. Zoti Natsios thotë se ekipet e shpërtimit nuk janë ende në gjendje të shkojnë në zona shumë të mëdha si ishulli Sumatra i këtij vendi.

Ai tha se parashikon që të ketë edhe më shumë të vdekur në atë ishull, pasi ai ishte goditur si nga dallgët e mëdha, ashtu edhe nga tërmeti nënujor me magnitudë 9.0 që shkaktoi katastrofën.

Më herët sot Kryqi i Kuq paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të shkojë në mbi 100 mijë, pasi të merret vesh fati i banorëve të ishujve Andaman dhe Nicobar të Indisë.

Ishulli i Sri Lankës ka njoftuar për afro 22 mijë të vdekur, ndërsa India llogarit rreth 10 mijë.

Mbi 1 mijë e 600 persona kanë vdekur në Tailandë. Njoftime për viktima ka patur edhe në Birmani, Bangladesh, Malajzi, ishujt Maldive, Tanzani, Somali dhe Kenia.

Shtetet e Bashkuara njoftojnë se është një krijuar një koalicion ndërkombëtar për ndihmat

Presidenti Bush thotë se është krijuar një koalicion ndërkombëtar për të bashkërenduar përpjekjet e ndihmave në vendet aziatike të goditura nga katastrofa.

Në deklaratën e tij të parë, që pas tërmetit të së dielës, zoti Bush tha në Crawford i Teksasit se populli amerikan është tronditur nga tragjedia e tmerrshme.

Ai tha se koalicioni ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, India, Sri Lanka, Japonia dhe Australia, synonte të jepte ndihma për rimëkëmbje afatshkurtër dhe afatgjatë.

Zoti Bush tha gjithashtu se kishte shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen sot në biseda telefonike me udhëheqës të Indisë, Indonezisë dhe Tailandës. Ai i siguroi ata se 35 milionë dollarët për të cilat janë angazhuar Shtetet e Bashkuara deri tani, është vetëm fillimi i ndihmës.

Ushtria amerikane ka dërguar 11 anije në rajon me kabina provizore operacionesh, helikopterë dhe njësi gjigante për patsrimin e ujit.

12 avionë amerikanë transporti po dërgojnë gjithashtu artikuj emergjence, përfshirë ujë të pijshëm dhe paketa emergjence. Nëntë avionë të tjerë janë dërguar tashmë për të ndihmuar në përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit.

Departamenti i Shtetit thotë se 12 amerikanë konfirmohet të kenë vdekur në katastrofë. Qindra të tjerë figurojnë të humbur.

XS
SM
MD
LG