Lidhje

Nënshkruhet Memorandumi për naftësjellësin Ambro - 2004-12-28


Të martën në Sofie të Bullgarisë u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për ndërtimin e naftësjellësit Ambo, nga ana e ministrave të energjitikës të të tre vendeve dhe presidentit të kompanisë amerikane “Ambo” që do të realizojë projektin.

Në ceremoni ishin të pranishëm kryeministrat e Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë. Memorandumi i hap rrugën fillimit të zbatimit të projektit me një vlerë prej 1 miliardë e 300 milionë dollarë.

Punimet për naftësjellësin pritet të nisin vitin e ardhshëm dhe ato janë parashikuar të përfundojnë në vitin 2008. Sipas projektit nafta që do te sigurohet nga vendet rreth Detit të Zi si Azerbajxhani, Kazakistani dhe Turkmenistani, do të grumbullohet në Burgas të Bullgarisë dhe nëpërmjet tubacioneve do të përfundojë në portin e Vlorës, ku do të ngarkohen anijet cisternë për trasnportimin e saj në tregjet evropiane dhe amerikane.

Naftësjellësi do të jetë 913 kilometra i gjatë me një kapacitet prej 750 mijë fuçi nafte në ditë. Ky është një nga investimet më të rëndësishme për rajonin e Ballkkanit dhe është pjesë e projekteve të Korridorit 8. Me ndërtimin e tij porti i Vlorës do të marrë një rëndësi të dorës së parë.

Kompania amerikane Onyx ka kërkuar ndërtimin me koncesion në këtë port dhe të një termocentrali tjetër me vlerë 250 milion dollarë, përveç atij të parashikuar tashmë.

XS
SM
MD
LG