Lidhje

Ekonomia amerikane gjatë vitit 2004 - 2004-12-28


Pas një ngadalësimi të shkurtër në rritjen ekonomike në mesin e vitit, që erdhi nga çmimet e larta të naftës, ekonomia amerikane u fuqizua dhe u rrit me gati 4 përqind në vitin 2004.

Rritja ekonomike prej 4 përqind është një arritje e madhe nga 3 përqind që ishte në vitin 2003 dhe 1 presje 9 përqind në vitin 2002. Tregues të tjerë ekonomikë janë gjithashtu pozitiv. Niveli i papunësisë u ul në 5 presje 4 përqind ndërkohë që u krijuan 2 milion vende të reja pune. Megjithë rritjen gati 50 përqind të çmimeve të naftës, inflacioni u mbajt nën kontroll në nivelin poshtë 3 përqindëshit.

Edhe në gjysmën e parë të vitit 2004 ekonomia amerikane u cilësua e shëndetshme sa që Rezervat Federale, banka qëndrore amerikane, pa të arsyeshme të ngrinte interesat afatshkurtra nga niveli i tyre më i ulët në mbi 40 vjet. Kryetari i Bordit drejtues të Rezervave Federale, Alan Greenspan, i tha Kongresit në korrik se kishte në plan ta vazhdonte ngritjen e interesave.

“Ekonomia jonë duket se është e përgatitur për një përshtatje më dinamike të nivelit të interesave. Sigurisht që në kushtet e politikave monetare shtrënguese, pasiguria dhe rreziku është më i madh sesa në rastin kur ato janë më elastike”, tha zoti Greenspan.

Rezervat Federale ndoqën politikën e masave shtrënguese duke i ngritur gradualisht interesat afatshkurtëra me 0 presje 25 përqind, pesë herë që nga qershori e deri në dhjetor. Megjithë këto rritje, interesat afatshkurtëra mbeten ende në një nivel mjaft të ulët, 2 presje 25 përqind.

Ndërsa ekonomia amerikane e përballoi me sukses ngritjen e çmimeve të naftës, që në tetor arritën në 55 dollarë për fuçi, vlera e dollarit u ul ndjeshëm. Rënia 20 përqind ndaj euros i bën prodhimet amerikane më të lira në Evropë ndërkohë që mallrat evropiane kushtojnë më shumë për amerikanët.

Kur departamenti amerikan i thesarit dështoi të ndërhynte për të ndalur rënien e dollarit, tregëtarët e monedhave arritën në përfundimin se administrata e presidentit Bush favorizonte politikën e një dollari të dobët duke besuar se kjo do të përmirësonte defiçitin e lartë e deri diku destabilizues tregëtar të Shteteve të Bashkuara. Kreu i bankës qëndrore Greenspan në tetor tërhoqi vëmendjen në pasojat e një defiçiti të zgjatur tregëtar.

“Kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Pasi pas njëfarë kohe do të arrijmë në një situatë ku borxhi neto ndaj të huajve, që tani është rreth një e katërta e prodhimit të përgjithshëm bruto, do të jetë shumë më i lartë. Investimet në dollarë si nga sektorët publikë edhe ata privatë në vende të tjera, do të arrijnë një pikë që do të jenë shumë më të larta se nevojat që ata kanë dhe për pasojë nuk do të duan të blejnë më dollarë”, tha zoti Greenspan.

Në fillim të dhjetorit kishte zëra se John Snow do të largohej nga posti i tij si sekretari i thesarit. Por pas një qetësie dyjavore presidenti përgëzoi zotin Snow dhe i kërkoi atij të vazhdonte të drejtonte grupin e tij të ekonomisë. Zoti Snow tha se administrata është e vendosur të shkurtojë defiçitin e lartë buxhetor përgjysëm brenda pak vjetësh.

“Jemi në rrugën e duhur për ta arritur këtë objektiv. Në fakt do të realizojmë më shumë sesa jemi angazhuar. Ne do ta ulim deficitin në 1 presje 6 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto që është një standart historikisht i ulët për ekonominë”, tha zoti Snow.

Para shkurtimit të taksave nga administrata e presidentit Bush dhe rritja e shpenzimeve për luftën në Irak, qeveria amerikane kishte një sufiçit buxhetor për katër vjet me rradhë.

XS
SM
MD
LG