Lidhje

Presidenti Moisiu: Ka ardhur koha të mos e shohim njëri-tjetrin si armiq, por si kundërshtarë, të aftë për të dhënë zgjidhje të ndryshme - 2004-12-28


Zëri i Amerikës: Zoti President, tani që pak ditë na ndajnë nga fundi i vitit, a mendoni se Shqipëria është më mirë sot se sa qe një vit më parë?

President Alfred Moisiu: Sigurisht, që është më mirë, mbase nuk është ashtu si do të dëshironim dhe ku do të donim, por patjetër që është më mirë. Ka pasur lëvizje dhe zhvillime në ekonomi, në politikë, në kulturë, në rritjen e vendit. Këto, sigurisht, sikurse thashë, mund të kishin qenë edhe më të mëdha dhe më të mira, por mua më duket se ajo që duhet vlerësuar dhe që është mjaft pozitive është se ekonomia shqiptare, pavarësisht nga luhatjet e politikës, lëviz përpara. Sigurisht, politika mund të mos krijojë një terren të përshtatshëm të udhëheqë një zhvillim aq sa duhet, por nuk është në gjednje ta pengojë. Dhe kjo është një gjë pozitive, për mendimin tim. Patjetër që energjia e popullit dhe natyra e shqiptarit do të kishte bërë më shumë, nëqoftëse politika do ta kishte favorizuar akoma më tepër.

Zëri i Amerikës: Cilat do të ishin sipas mendimit tuaj sfidat më të mëdha për Shqipërinë në vitin 2005?

President Alfred Moisiu: Patjetër që sfidat janë tashmë të njohura. Nuk mund të them ndonjë gjë të re. Por, sigurisht, që ne për vitin 2005 shpresojmë që të arrijmë disa rezultate më të mira në të gjithë sektorët e ndryshëm. Në radhë të parë, është realizimi me sukses i zgjedhjeve, që ne mendojmë se është një problem që duhet arritur. Gjithashtu, është e rëndësishme që të luftohet më shumë dhe të arrijmë të ulim varfërinë, të shtohen vendet e punës, të rritet siguria, të zhvillohet më tepër infrastruktura, të forcohet kultura ligjore, duke filluar në radhë të parë nga politikanët. Dhe sigurisht, një gjë mjaft e rëndësishem është plotësimi sa më shpejt i kërkesave për integrimrin e vendit tonë në strukturat euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Viti 2005, siç thatë dhe ju si nje vit zgjedhjesh, do të jetë tepër i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë. Të gjitha zgjedhjet demokratike që janë zhvilluar deri tani janë kontestuar nga pala që ka humbur, duke mos e pranuar rezultatin e tyre. Mosmarrëveshja mes dy forcave kryesore politike për kodin elektoral është një sinjal që zgjedhjet e vitit 2005 mund të jenë problematike. Zoti President, cili është komenti juaj lidhur me këtë çështje?

President Alfred Moisiu: Unë desha të bëj një korigjim të vogël, Laura. Në fakt, ne kemi përvojë për zgjedhje të mira, se deri në vitin 1996 zgjedhjet tek ne nuk kanë patur probleme. Sigurisht, pas 1996, ne na u krijuan probleme, të cilat mund të themi që kanë ardhur në rritje. Çështjet përsa i përket plotësimit dhe korigjimit të kodeve elektorale, të cilat nuk ka aritur të plotësohen dhe të realizohen deri në fund të këtij viti, sigurisht që nuk është një gjë e mirë, por unë mendoj që nuk është katastrofike, sepse unë gjykoj që politika shqiptare i ka shumë të qartë që pa rregulla loje të qarta, nuk mund të futet në zgjedhje dhe ne jemi të detyruar, sepse këtë e kërkon jo vetëm atmosfera ndërkombëtare, por e kërkon populli, e kërkon vetë Shqipëria, vetë shqiptarët, që më në fund ne të mund të dalim nga kjo krizë, në rast se do të mund ta quaj të tillë, dhe të arrijmë të bëjmë zgjedhje ashtu siç janë standartet kudo, siç i ka çdo vend demokratik në Evropë dhe kudo. Kjo është e domdosdoshme të arrihet. Unë them që në radhë të parë duhet të heqim dorë nga mentaliteti i disa partive që pushteti mund të mbahet me çdo kusht, ose që mund të merret me çdo kusht. Pushtetin do ta japë vota, do ta japë populli, do ta japë votuesi; dhe kjo duhet bërë e qartë për të gjithë. Patjetër, duhet të mësohemi të bëjmë edhe kompromise, dhe kompromiset duhen bërë jo vetëm kur na detyrojnë të tjerët, por të jemi gjithmonë të gatshëm për ta bërë këtë kur ta kërkojë e mira e vendit, kur e kërkon zhvillimi, kur e kërkon arritja e zgjidhjes së problemeve që dalin para nesh. Në të njëtjën kohë, dua të them që problemet nuk mund të zgjidhen më me inate personale të pabaza, ose në pala imagjinare. Sigurisht, që ka ardhur koha që të mos e shohim njëri-tjetrin si armiq, por si kundërshtarë, të aftë për të dhënë zgjidhje të ndryshme edhe më të mira për të njëjtin problem. Duhet në të njëjtën kohë, mendoj unë, të rrisim besimin e ndërsjelltë tek njëri-tjetri. Ka ardhur koha që populli të votojë jo për besnikëri, jo për militantizëm, por për alternativën më të mirë dhe që mund t’i ofrohet; dhe kjo është një kthesë që duhet ta bëjë populli shqiptar, duhet ta bëjë votuesi shqiptar. Të heqim dorë gjithashtu nga mëritë e trashëguara, nga lufta që trashëguam që nga Lufta e Dytë Botërore, por dhe nga ato që janë trashëguar nga diktatura komuniste. Nuk mund të ecet përpara me mëri të trashëguara. Ne duhet të dimë që ky vend është i joni, Shqipëria është e jona, dy Shqipëri nuk ka, një ka, dhe ne këtë Shqipëri, mbajmë përgjegjësi që të gjithë, që nga votuesi më i thjeshtë dhe deri tek kryetari i shtetit; që të gjithë duhet të përvishemi që këtë Shqipëri ta ruajmë, ta ndërtojmë dhe ta çojmë përpara. Unë jam optimist se do t’i arrijmë standartet e kërkuara dhe sigurisht, unë nuk mund të pranoj, nuk mund të jem i tolerueshëm në mendimin tim dhe në mendimin e kujtdo, që zgjedhje të tilla mund të kryhen në Kosovë, mund të kryhen kudo, mund të kryhen në Maqedoni, mund të kryhen në Serbi dhe mos t’i kryejë Shqipëria?. Këto vende që përmenda kanë kaluar luftra civile, luftra etnike, që janë dhe shkalla më e lartë e luftës civile në çdo vend. Pra, nuk ka asnjë arsye që mos të arrihet edhe tek neve. Sigurisht, që duhet kërkohet që, dhe duhet ta themi hapur këtë, që klasa politike shqiptare të bëhet më e përgjegjshme për veprimet e saj, ndërsa populli duhet të bëhet më kërkues ndaj klasës politike, të mos pranojmë çdo gjë që na serviret, por në asnjë mënyrë të mos marrim çdo gjë që na jepet si gjë që duhet pranuar. Në të njëtjën kohë, unë do t’i ftoja intelektualët shqiptarë që të jenë më aktivë, nuk është koha më tani të merremi vetëm me thashetheme nëpër kafene, por duhet t’i themi hapur mendimet tona, sepse nuk ka më kohë, nuk mund të humbasim më kohë. Dhe unë mendoj që këtë, intelektualët shqiptarë dhe i gjithë populli shqiptar do ta bëjnë.

Zëri i Amerikës: Sa e vështirë është të jesh një president i drejtë dhe që nuk kompromenton interesat afatgjatë të vendit për hir të kompromiseve politike dhe interesave afatshkurtëra?

President Alfred Moisiu: Laura, më keni bërë një pyetje që më është bërë disa herë mua, dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë shtetit kur kam qenë, sepse është hera e parë mbase, për vendin tonë po flas, sigurisht, që është një president që nuk i përket asnjë force politike dhe nuk përfaqëson interesa të asnjë partie të caktuar. Sigurisht, jep pra, një prapavijë politike, por prapavija që është për një president të tillë, është kushtetuta, është ligji; dhe gjithmonë kërkohen zgjidhje jo-partiake, por intitucionale; dhe kjo kërkon, me të thënë të drejtën, edhe një mirëkuptim më të drejtë. Duhet të shkallmojmë mentalitetin e vjetër që ne po na mundon akoma. Unë këtë e kam thënë dhe në mesazhin tim drejtuar Parlamentit shqiptar më datën 13 shtator, që nuk duhet të vazhdojmë më me partinë-shtet. Partia ka rolin e saj në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Pastaj hyjnë në lojë institucionet shtetërore, institucionet kushtetuese dhe vetëm kështu mund të ndërtohet shteti; dhe vetëm kështu mund të ecet përpara; dhe vetëm kështu ka ecur përpara bota; kështu ka ecur përpara Evropa dhe nuk ka rrugë tjetër dhe për neve.

Zëri i Amerikës: Shqipëria vazhdimisht është cilësuar si një nga vendet me shkallën më të lartë të korrupsionit. Si mendoni se mund të dalë vendi nga kjo situatë?

President Alfred Moisiu: Sigurisht që korrupsioni këtu tek neve është, qëndron, ekziston, është real, por unë mendoj që mjeti kryesor, ose rruga kryesore që duhet të ndjekim neve për të luftuar korrupsionin është që duhet të heqim dorë nga slloganet. Që të gjithë e pranojmë që ka korrupsion, të gjithë themi që duhet ta luftojmë dhe korrupsioni vazhdon punën e tij. Pra, ne duhet të gjejmë mjetin për ta luftuar atë dhe unë them që mjeti për të luftuar korrupsionin janë institucionet kushtetuese; dhe në rastin konkret, mund të themi që janë dy institucionet shumë të rëndësishme: është Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria; dhe nëse këto institucione do të arrijnë t’i ngrejnë dhe t’i vendosin bazat kushtetuese ligjore, sigurisht që nuk ka se ku të gjejë hapësirë korrupsioni për t’u zhvilluar më tej; dhe po të shikojmë kohët e fundit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë disa denoncime që janë të rëndësishme, për mendimin tim. Po fatkeqësisht, si media, ashtu edhe opozita shumë me zë të mekur po përpiqen ta luftojnë korrupsionin dhe t’i përkrahin akuzat ndaj korrupsionit. Unë mendoj se kjo është një gjë që duhet të na shqetësojë që të gjithëve. Sado e vogël që të jetë shfaqja, sado e vogël që të jetë kërkesa, sado i vogël që të jetë argumenti, ka rëndësi që këto të vihen në dukje dhe jo vetëm kaq, por edhe të çohet deri në fund dënimi i tyre. Kështu do të zënë mend edhe ai që e ka bërë, edhe të tjerët përreth tij. Unë mendoj që korrupsioni në vendin tonë, nuk mund të them që është i trashëguar, ai filloi me hapjen e demokracisë, në një formë më të re dhe më të zhvilluar, sigusrisht dhe fakti, sikurse thashë më parë, që të gjithë e kritikojnë dhe e sulmojnë, por shumë pak e luftojnë, kjo është për të ardhur keq. Megjithatë, unë them që lufta kundër korrupsionit është një mjet që duhet zhvilluar dhe mbështetur edhe nga shoqëria civile. Dhe shoqëria civile ka filluar të hedhë hapa të mira në vendin tonë, por sigurisht duhet të ketë kujdes që të mos poltitizohet, sepse është vështirë këtu te neve, fatkeqësisht këtu te neve është e vështirë akoma që shoqëria civile të dali e pavarur dhe të bëjë kërkesat që duhet të bëjë, të mbështetur në interesat e përgjithshme. Mund të marrim si shembull pozitiv do të thoja, grevën që bënë së fundi profesorët e Universitetit, ku vërtet nuk pati kërkesa politike, por pati kërkesa ekonomike, të cilave iu dha rruga e duhur, iu dha një zgjidhje me mundësitë që janë, dhe në të nuk u përfshinë kërkesat politike, nuk u përfshi angazhimi ose drejtimi i tyre nga forcat politike. Edhe në luftën kundër korrupsionit, unë mendoj që duhet vërtet që të gjithë të luftojnë, sepse politika, krahas interesave për zgjidhjen e problemeve, ka nganjëherë interesa të mpleksura me disa gjëra korruptive. Dhe sigurisht që kjo nuk është e lehtë të arrihet, por nuk është e vështirë dhe parealizueshme.

Zëri i Amerikës: Zoti President, në deklaratën e përbashkët të takimit mes udhëheqësve të gjashtë vendeve të Evropës Juglindore mbi harmoninë ndërfetare, u la jashtë çdo referim ndaj Kosovës dhe zhvillimeve atje. A mendoni se për hir të diplomacisë dhe bashkëpunimit rajonal po bëhen lëshime, që në fakt rëndojnë të ardhmen e Kosovës?

President Alfred Moisiu: Jo, unë nuk jam plotësisht dakort me juve, Laura, sepse pasi kjo nuk u përmend në deklaratë, por në takimet bilaterale ky problem u trajtua gjerësisht. Sigurisht në disa drejtime, me disa bashkëbisedues arritëm konkluzione të përbashkëta por me disa nuk i arritëm këto dhe kjo është normale në politikë dhe në diplomaci. Nuk është e thënë që gjithmonë të jenë të gjithë dakort, sepse ndryshe merr fund edhe kuptimi i përpjekjeve diplpomatike për zgjidhjen e një problemi. Por, pavarësisht nga ajo që u tha në deklaratën e fundit, e cila kishte qëllim kryesor në radhë të parë të evidentonte traditën, arritjet dhe trashëgiminë shqiptare përsa i përket tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare dhe kjo u vu në dukje mjaft mirë, në të njëjtën kohë ne synuam që të ndikonim me përvojën tonë, me kulturën tonë, me traditën tonë edhe në popujt e tjerë dhe unë mendoj se edhe në këtë drejtim ka pasur arritje. Por, për sa i përket problemit të Kosovës, dua të them që Shqipëria gjithmonë ka qenë në pozita të drejta dhe s’ka përse të ishte ndryshe, sepse atje banojnë më shumë se 2 milionë shqiptarë. Dhe nuk ka shqiptar që të mos jetë i interesuar për fatin e së ardhmes së tyre. Pra, në këtë rast, mund të them që vazhdimisht politikanët shqiptarë duke filluar që nga presidenti, kryeministri, mga kryetari i opozitës dhe nga forcat e tjera politike e kanë ngritur çështjen e Kosovës, e kanë ngritur domosdoshmërinë e zgjidhjes së këtij problemi, e dhënies së statusit. Ne kemi mbështetur platformën e zgjidhjes së statusit të Kosovës brenda vitit 2005 dhe e kemi ngritur këtë edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në takime të ndryshme bilaterale që kemi patur, duke filluar që nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendet e tjera të rajonit, vendet e tjera të Europës dhe e mbështesim këtë me tezën që sa më shumë që të zgjatet kjo, aq më shumë hapësirë e rrezikshme do të krijohet nga forcat ekstremiste të të dy krahëve. Dhe, në të njëjtën kohë unë mendoj që problemi i Kosovës, për të cilin Serbia, politika serbe është fatkeqësisht shumë e interesuar, kam frikë dhe besoj dhe kam bindjen, që më shumë e bën këtë jo aq shumë për interesat e atyre serbëve, afro 100 mijë, që banojnë aktualisht në Kosovë, por është një mjet mbijetese politike në Serbi dhe unë do të thoja që, jo se politikanët serbë nuk e dinë apo nuk e kuptojnë, por fatkeqësisht atje nacionalizmi është akoma në një shkallë të tillë që lufta ose përpjekjet që bëhen për të ashtuquajturin minoritet serb, pakicë etnike serbe në Kosovë, e cila nuk është kurrsesi më e madhe sesa pakicat e tjera që banojnë në Kosovë, është mjet për të justifikur qëndrimin në politikë dhe mbijetesën politike. Unë gjykoj se Europa dhe në në mënyrë të veçantë Evropa Perëndimore dhe Rusia duhet ta kuptojnë sepe nuk mund të lejojnë më gjatë që të mbahet një vatër e ndezur në rajon; sepse vatra e ndezur në rajon mund të ndezë jo vetëm rajonin por mund të përhapet edhe më gjerë. Ne kemi nevojë për paqe, popujt nuk duan më luftë, popujt duan zhvillim, duan punë, duan të jetojnë dhe fakti është që me krijimin e situatave të tjera njerëzit kanë filluar ta shohin njëri tjetrin me një sy tjetër. Kështu mund të themi, se në Maqedoni pavarësisht nga vështirësitë e kaluara është krijuar një ambient krejt tjetër. Po kështu, edhe në Malin e Zi është krijuar një ambjent krejt tjetër. Pra, mundësitë janë dhe politikanët duhet të jenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre, në këmbënguljen e tyre dhe në zgjidhjen e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju faleminderit dhe Gëzuar festat!

President Alfred Moisiu: Ju faleminderit dhe me këtë rast unë dëshiroj t’i uroj gjithë shqiptarëve kudo që janë, në gjithë botën, Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtilindjet që kaluan, Gëzuar për shumë vjet dhe Vitin e Ri, suksese dhe jetë më të mirë në Vitin 2005!

XS
SM
MD
LG