Lidhje

Shtetet e Bashkuara ndihmojnë viktimat e tërmetit në Azinë Jugore - 2004-12-30


Presidenti Bush tha se populli amerikan është tronditur dhe pikëlluar nga numri i madh i viktimave të shkaktuara nga tërmeti i kohëve të fundit dhe dallgët shkatërrimtare në Oqeanin Indian. Njoftohet se të paktën 80 mijë njerëz kanë humbur jetën dhe numri i vdekjeve mund të rritet ndjeshëm. Vendet e goditura më rëndë janë Indonezia, Sri Lanka, India dhe Tajlanda. Dallgët shkatërrimtare që pasuan tërmetin shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve edhe në Birmani, Malajzi, Ishujt Maldive, Bangladesh e bile edhe në vende të largëta si Somalia, Kenia e Tanzania.

Së bashku me vende të tjera, Shtetet e Bashkuara po u dërgojnë ndihma banorëve të zonave të goditura nga katastrofa. Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara kanë premtuar fillimisht një ndihmë prej 35 milionë dollarësh: “Ne kemi dërguar ekspertë në rajon dhe po dislokojmë atje një njësi eksloruese marinsash, aeroplanmbajtësen Abraham Linkoln dhe skuadriljen detare nga ishulli Guam për të ndihmuar përpjekjet e ndihmave.”

Sekretari i Shtetit, Colin Pauëll, po punon me homologët e tij nga Japonia, India, Australia dhe vende të tjera për krijimin e një koalicioni për ndihma të menjëhershme humanitare dhe procesin afatgjatë të rimëkëmbjes dhe të rindërtimit. Ndërkohë që dhjetëra mijëra njerëz humbën jetën brenda pak momentesh, tha zoti Pauëll, pasojat e rënda do të ndihen atje për vite të tëra”: Rindërtimi i shkollave dhe objekteve të tjera do të marrë kohë. Kështu që është nevoja të dërgohen ndihma të menjëhershme për të stabilizuar gjendjen, për t’u kujdesur për ata që janë plagosur, të dërgohen furnizime të menjëhershme humanitare dhe më pas të fillojë planifikimi për procesin afatgjatë të rimëkëmbjes.”

Presidenti Bush tha se ditët e fundit i kanë sjellë botës humbje dhe vuajtje të përmasave të paimagjinueshme: “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qendrojnë përkrah qeverive të prekura ndërkohë që ato kujdesen për viktimat e katastrofës. Ne, do të qendrojmë përkrah tyre ndërkohë që ato fillojnë të rindërtojnë komunitetet e tyre.”

“Së bashku, tha Presidenti Bush, ne do të ngadhnjejmë ndaj kësaj katastrofe rrënimtare.”

XS
SM
MD
LG