Lidhje

Intensifikohen përpjekjet për të parandaluar shpërthimin e sëmundjeve në Azinë Jugore - 2004-12-31


Presidenti Bush u zotua të japë 350 millionë dollarë për të ndihmuar viktimat e tsunamit në Azi, ndërkohë që numri i të vdekurve ka mbërritur në 125 mijë vetë.

Punonjësit e ndihmave po shpejtojnë për të parandaluar shpërthimin e sëmundjeve mes atyre që i shpëtuan tsunamit të së djelës në Azinë Jugore. Vetëm Indonezia ka njoftuar për 80 mijë të vdekur. Numri i të vdekurve nga tsunami në Sri Lanka i ka kaluar të 28 mijë vetët, ndërsa India ka njoftuar për 7700 viktima nga kjo fatkeqësi natyrore.

Bashkërenduesi i ndihmave i Kombeve të Bashkuara, Jan Egeland, tha se sëmundjet si kolera, malaria dhe tifoja mund të shkaktojnë vdekjen e po aq njerëzve sa edhe vetë tërmeti dhe dallgët gjigande të shkaktuara prej tij, prandaj tani është e domosdoshme që të mbijetuarit të furnizohen me ujë të pijshëm, ushqime dhe ndihmë mjeksore.

Anije me furnizime nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vende të tjera janë nisur për në rajon, ndërkohë që vazhdon furnizimi nga ajri dhe dërgimi i ekspertëve. Por shpërndarja e ndihmave është e vështirë. Në Sri Lanka sot, shira të rëmbyeshëm e kanë vështirësuar edhe më tej gjendjen.

Ndërkaq, udhëheqësit botërorë do të mblidhen në Indonezi javën e ardhëshme për një takim të nivelit të lartë për bashkërendimin e ndihmave. Udhëheqësit evropianë po përpiqen gjithashtu të organizojnë një takim të nivelit të lartë në janar.

Powell do të vizitojë zonën e goditur nga tërmeti

Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell takohet sot me Sekretarin e Përgjithsëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan për të diskutuar programet e ndihmave emergjente në Azi. Takimi i sotëm në New York zhvillohet ndërkohë që administrata po shton ndihmat për viktimat e tërmetit dhe dallgëve sizmike.

Sekretari Powell so të niset të djelën për në zonën e goditur sëbashku me Guvernatorin e Floridës, Jeb Bush, vëllanë e Presidentit, i cili ka mjaft përvojë lidhur me fatkeqësi të tilla natyrore, siç janë uraganet që prekin shpesh Floridën.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Bush thonë se kjo vizitë do të shërbejë për të vlerësuar drejt për drejt nevojat e rajonit dhe për të bashkërenduar përpjekjet masive të ndihmave.

XS
SM
MD
LG