Lidhje

Kuçma i bën thirrje vendit të mbështesë presidentin e zgjdhur Jushçenko - 2005-01-01


Presidenti i tanishëm i Ukrainës, Leonid Kuçma, i bëri thirrje vendit të mbështesë presidentin e zgjedhur, Viktor Jushçenko.

Në një mesazh të djeshëm drejtuar vendit me rastin e Vitit të Ri, zoti Kuçma u kërkoi ukrainasve të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve demokratike. Ai e bëri këtë thirrje pasi kryeministri i vendit, Viktor Janukoviç, dha dorëheqjen. Zoti Janukoviç bëri të njohur dorëheqjen një ditë pasi Gjykata e Lartë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhën poshtë kërkesën e tij për të shqyrtuar përsëri rezultatet e votimit, të cilat tregojnë se rivali i tij, Viktor Jushçenko, fitoi zgjedhjet e përsëritura presidenciale.

Zoti Janukoviç nuk ka pranuar humbjen në zgjedhje, por thotë se e shikon si të pamundshme mbajtjen e një posti në një administratë të kryesuar nga zoti Jushçenko. Rezultatet përfundimtare tregojnë se zoti Jushçenko fitoi zgjedhjet presidenciale duke siguruar mbi 2 milionë vota më shumë se kryeministri Janukoviç.

XS
SM
MD
LG