Lidhje

Viti 2005 gjeti pa strehë miliona njerëz në Azinë jugore  - 2005-01-01


Dje, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dhjetëfishojnë fondet e ndihmës duke dhënë gjithsej 350 milion dollarë. Agjencitë ndërkombëtare përballen me dy shqetësime urgjente: shpërndarjen e ndihmave dhe parandalimin e sëmundjeve.

Ndërkohë që vazhdon nxjerrja e trupave të viktimave të csunamit, agjencitë ndërkombëtare po paralajmërojnë rreth mundësisë së përhapjes së malaries, kolerës dhe sëmundjeve të tjera. Në Indi, autoritetet njoftojnë për të paktën 7 mijë e 700 të vdekur. Në një distrikt në shtetin e Tamil Nadusë disa gra lanin rroba afër ujrave të zeza. Ekipe mjeksore në një qendër refugjatësh vaksinonin fëmijët, ndërkohë që autoritetet përhapnin disinfektantë nëpër rrugë.

Ndërkohë ekziston një problem edhe më i madh: dërgimi i ndihmave tek ata që kanë më shumë nevojë. Autoritetet indiane nuk i kanë lejuar grupet ndërkombëtare të ndihmave që të shkojnë në territoret e largëta Andaman dhe Nicobar, ku viktimat mund të jenë me mijëra. Autoritetet indiane zakonisht kanë ndaluar të huajt të shkojnë në shumicën e ishujve.

Në Indonezi, ku 80 mijë veta njoftohet të kenë vdekur, shpërndarja e ndihmave është penguar nga mungesa e karburantit si dhe nga përmbytja e rrugëve dhe urave. Dhjetra familje në Banda Aceh, një prej zonave të goditura më rëndë, ngritën një çadër të madhe ndërsa prisnin mbritjen e ndihmave.

Qeveria indoneziane tha se do të mbajë një takim ndërkombëtar të nivelit të lartë më 6 janar në përpjekje për të siguruar më shumë ndihma për vendet e prekura.

Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell do të kryesojë javën e ardhshme një delegacion amerikan në një turne të rajonit të dëmtuar.

Dje, sekretari Powell u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan në New York.

“Ne shqyrtuam gjendjen e krizës si dhe përpjekjet tona për të ndihmuar vendet dhe popujt në nevojë. Folëm gjithashtu për nevojën që ne të bashkëpunojmë dhe bashkërendojmë përpjekjet tona në mënyrë sa më të efektshme. Dhe kur them të bashkërendojmë përpjekjet e kam fjalën jo vetëm midis vendeve anëtare, por edhe në nivel kombëtar, bashkërendimi i përpjekjeve me organizatat jo-qeveritare vendore, Kryqin e Kuq, organizatat kombëtare dhe përpjekjet ndërkombëtare.”

“Ne kemi dërguar ekipe për të vlerësuar gjendjen, tha Sekretari Powell. Ndihmat humanitare janë nisur, veçanërisht një kontigjent i madh nga forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara. Edhe grumbullimi i fondeve ka filluar dhe fonde të shumta po jepen për këtë krizë.”

Drejtori i Programit Botëror të Ushqimit tha se zona e katastrofës është shumë e madhe. Por drejtori ekzekutiv James Morris tha se agjencia e tij ka burimet për të shpërndarë ndihmat në mënyrë të efektshme, megjithë koston e madhe të një operacioni të tillë.

“Ne kemi furnizime të shumta në disa zona, ne kemi para për të blerë artikuj të tjerë ushqimorë në vend. Mendoj se duhet të grumbullojmë rreth 150 milion dollarë gjatë 6 muajve të ardhshëm për të zgjidhur nevojat ushqimore.”

Ndihmat e Programit Botëror të Ushqimeve dhe të UNICEF-it mbrritën në Sri Lanka, ku janë konfirmuar të paktën 28 mijë të vdekur. Punonjësit e ndihmave shpërndanë ushqime, ujë dhe veshmbathje në qytetin bregdetar të Gales, ku rreth 55 mijë njerëz janë strehuar nëpër shkolla, kisha dhe tempuj.

Dje në Sri Lanka u mbajt zi. Flamurët në godinat qeveritare u ngritën në gjysëm shtize dhe shtëpitë private ngritën flamurë të bardhë, shenjë zie në Azinë jugore.

XS
SM
MD
LG