Lidhje

Astronautët në stacionin ndërkombëtar të hapësirës kanë furnizime të pakta ushqimore - 2005-01-01


Astronautët në stacionin ndërkombëtar të hapësirës thanë se furnizimet e pakta me ushqime të mbetura në bord i detyruan ata të hanin më pak duke konsumuar më shumë ëmbëlsira për energji. Ata shpjeguan se mungesa e ushqimeve erdhi për shkak të një moskomunikimi midis ekuipazhit të mëparshëm dhe kontrollorëve në tokë.

Astronauti amerikan i stacionit të hapësirës Leroy Chiao tha se ai dhe kozmonauti rus Salizhan Sharipov u gëzuan kur panë të mbërrinte anija ruse e furnizimit Progress ditën e krishlindjeve, e cila solli 69 kuti me sende ushqimore. Ata filluan me shpejtësi të hapnin kutitë sepse kishin që nga mesi i nëntorit që hanin me një racion të rreptë.

Dieta e tyre do të ishte lakmuar nga çdokush që pëlqen ëmbëlsirat, sepse sipas astronautit Chiao, ajo ishte kryesisht një dietë sheqeri.

"Ne përgjysmuam ushqimin që hanim normalisht, mishin, patatet, perimet. Për të zëvendësuar kaloritë na u desh të hanim shumë ëmbëlsira që kishin mbetur. Në bord kishte shumë ëmbëlsira dhe karamele dhe ato na ndihmuan të merrnim kaloritë e nevojshme. Nuk ishte dietë jo e shëndetshme por as ideale".

Megjithë ëmbëlsirat që merrnin, të dy astronautët pakësuan kaloritë e tyre ditore 10 deri në 15 përqind dhe mund të ishin larguar fare nga stacioni orbital me anijen Soyuz në se furnizimet nuk do të kishin arritur në kohën e duhur. Leroy Chiao tha se ata mund ta shtynin deri nga mesi i janarit.

Ai tha se problemet filluan për shkak se ekuipazhi i mëparshëm kishte marrë nga furnizimet e tyre me lejen e menaxherit të stacionit pasi kishin vënë re se ushqimi që ata hanin nuk kishte shumëllojshmërinë e duhur. Sipas astronautit, zyrtarët e NASË-s mendonin se në stacion kishte më shumë ushqim sesa realisht kur ekuipazhi i ri shkoi aty në tetor ndoshta për shkakun se ekuipazhi i mëparshëm nuk informoi qendrën se sa ushqim kishte konsumuar.

Mungesa u bë më e madhe pasi anija ruse e furnizimeve mbërriti një muaj më vonë nga ç‘ishte parashikuar ndërsa dy anijet e mëparshme ruse dërguan më pak ushqime për të lënë vend për furnizimet mekanike. Gjithashtu, anijet amerikane të hapësirës nuk lejohet të fluturojnë - atyre po u bëhen modifikimet e rekomanduara pas katastrofës së anijes Kolumbia në vitin 2003.

Astronauti Leroy Chiao thotë se ai dhe kolegu i tij nuk kanë humbur shumë në peshë.

"Nuk është diçka për të cilën duhet të ankohemi. Shumë njerëz do të kënaqeshin po të humbisnin 2 deri në 3 kile peshë. E gjithë kjo ishte për ne një farë sfide, një aventurë e rrezikshme në një farë kuptimi".

Zyrtarët e Nasës thonë se një grup i pavarur po heton arsyen se përse inventari ushqimor ishte kaq i ulët.

XS
SM
MD
LG