Lidhje

Sa serioz është rreziku botëror i armëve biologjike dhe kimike? - 2005-01-02


Një raport i ri i publikuar këtë muaj në Washington, analizon reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj kërcënimit të bio-terrorizmit, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Sipas raportit, vendi ka përparuar, por ka ende shumë punë për të bërë. Sa serioz është rreziku botëror i armëve biologjike dhe kimike? Në materialin e mëposhtëm, i hidhet një sy nga afër dukurisë së përhapjes së këtyre armëve.

Rezultatet shkatërruese të armëve kimike u panë për herë të parë gjatë Luftës së Parë Botërore, kur Gjermania përdori gaz helmues ndaj forcave kundërshtare në llogore, që shkatërronte menjëherë sistemet e tyre të frymëmarrjes.

Michael Krepon është presidenti dhe themeluesi i Qendrës Henry L. Stimson, një institut në Washington që nxit paqen dhe sigurinë në botë. “Për fat të mirë, shumë vende nxorrën mësime të rëndësishme pas Luftës së Parë Botërore, kur armët kimike u përdorën gjerësisht në fushën e betejës dhe pati një reagim aq negativ, saqë u bënë përpjekje ndërkombëtare për të vendosur standarde globale kundër përdorimit të këtyre armëve. Këto standarde janë në fuqi edhe sot”.

Standardet u përfshinë në një traktat që ndalonte përdorimin e armëve kimike në vitin 1997. Para se të arrihej një marrëveshje zyrtare, Iraku përdorte armë kimike kundër Iranit dhe Kurdëve të Irakut, gjatë luftës mes Iranit dhe Irakut, në vitet 1980. Victoria Samson është eksperte armësh në Qendrën për Informacion mbi Mbrojtjen, në Washington.

“Iraku përdori armë kimike kundër popollit të tij dhe iranianëve gjatë luftës Iran-Irak, kështu që me siguri ata kishin një arsenal të madh armësh kimike dhe megjithëse i kishin në dispozocion gjatë luftës së parë të Gjirit, nuk besoj që i përdorën. Sepse Shtetet e Bashkuara e kishin bërë shumë të qartë, se nëse Iraku do të përdorte armë kimike, ose biologjike kundër trupave amerikane, Shtetet e Bashkuara do të reagonin me të gjitha forcat që kishte në dispozicion”.

Para se Shtetet e Bashkuara të fillonin luftën në Irak në vitin 2003, kishte shqetësime se Iraku mund të kishte armë biologjike dhe kimike. Por mesa duket kjo nuk ishte e vërtetë.

Në fakt, armët biologjike janë përdorur shumë rrallë. Por menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, letra që përmbanin antraks iu dërguan 5 organeve amerikane të mediave dhe zyrave të dy senatorëve amerikanë. 5 persona humbën jetën nga infektimet me antraks dhe 22 të tjerë patën infeksione nga kontakti i antraksit me lëkurën. Nuk është përcaktuar përfundimisht se cili ishte personi përgjegjës, apo nëse ishte vepër e një terroristi, ose grupi terrorist.

Një grup terrorist ishte përgjegjës për një sulme me armë kimike në Tokio në vitin 1995. 12 persona u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën kur një grup budist japonez, Auim Shinrikyo lëshoi gaz nervor sarin në një metro. Sulmi shkaktoi shumë dëme dhe një traumë psikologjike në Japoni. Por megjithëse ka patur disa incidente të rënda, ato janë përjashtime.

Victoria Samson vë në dukje se ka një mundësi të vogël që një grup terrorist të mund të shtjerë në dorë dhe përdorë disa lloje agjentësh kimikë dhe biologjikë për të dëshmuar forcën e vet dhe ta drejtojë ndaj objektivave civile në një mënyrë relativisht çnjerëzore.

“Por ajo nga e cila duhet patur kujdes, është se mos vendoset ndonjë agjenti kimik, ose biologjik në ndonjë maune dhe pastaj lihet diku në ndonjë port. Ndaj një mundësie të tillë nuk jemi shumë të përgatitur. Po punohet që të jetë e mundur të diktohen këta lloj agjentësh, por jemi ende larg. Mendoj se në një skenar të këtij lloji, ekziston edhe rreziku për këto lloj armësh”.

Që pas sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar përpjekjet për të përmirësuar aftësitë për zbulimin e armëve kimike dhe biologjike dhe për t’u mbrojtur ndaj tyre. Por kjo është një sfidë. Objektet e përdorura për prodhimin e agjentëve përbërës së armëve kimike dhe biologjike, mund të përdoren edhe për veprimtari të ligjshme. Në vitin 1998 Shtetet e Bashkuara hodhën në erë këtë kompleks farmaceutik në Sudan, pasi besonin se po prodhonte një përbërës të një gazi nervor dhe ishte e lidhur në një farë mënyre me projektet për armë kimike të Irakut, diçka që nuk u provua kurrë.

Shumë ekspertë armësh thonë se kërcënimi që paraqesin armët kimike, apo biologjike është shumë më i vogël se ai i armëve bërthamore, ose armëve të lehta, të cilat përcaktohen përgjithësisht si armë që mund të mbahen nga një ose dy njerëz. Këto armë vrasin shumë më tepër njerëz sesa ato që ngjallin më shumë frikë, armët kimike dhe biologjike të shkatërrimit në masë.

XS
SM
MD
LG