Lidhje

Ndihmat pas cunamit aziatik - 2005-01-02


Një javë pasi tërmeti masiv i shoqëruar me dallgët sizmike cunami goditi Azinë Juglindore, ndihmat po arrijnë nëpër komunitetet e prekura nga fatkeqësia. Numri i vdekurve vazhdon të rritet dhe deri tani ka arritur shifrën e mëse 120 mijë vetëve. Qeveritë e vendeve të goditura nga tsunami po hartojnë tani plane afatgjatë për shpërndarjen e ndihmave dhe për punën e rindërtimit.

Mjerimit të të pastrehëve në Sri Lanka dhe Indonezi, shtete që u goditën më tepër nga tërmeti dhe dallgët masive të fuqishme, të javës së kaluar, po i shtohen tani edhe shirat e fuqishëm, që po pengojnë përpjekjet e shpëtimit.

Ndihmat e mbërritura disa ditë më parë në aeroportet e këtyre vendeve kanë filluar tani të shpërndahen në disa nga rajonet më të izoluara. Helikopterët e marinës amerikane po hedhin ndihma në fshatrat e provincës Aceh të Indonezisë që janë izoluar pas shkatërrimeve dhe ndihmat po mbërrijnë tani në ishujt e izoluar Andaman të Indisë.

Kombet e Bashkuara mendojnë se më tepër se një milionë njerëz në Indonezi dhe më tepër se 700 mijë në Sri Lanka do të kenë nevojë për ndihma ushqimore të emergjencës për muaj të tërë.

Presidenti i Indonezisë Susilo Bambang Yudhoyono u zotua përsëri për të dërguar ndihma në rajonin e goditur nga fatkeqësia.

"I bëj thirrje mbarë botës të marrë pjesë dhe të kontriubuojë në rindërtimin e Indonezisë", - tha ai.

Numri i të vdekurve në 11 vende mund të kapë shifrën e 150 mijë vetëve dhe rreth 5 milionë njerëz kanë mbetur të pastrahë. Qeveritë e këtyre vendeve po paralajmërojnë se pak shpresë ka që të gjenden njerëz të gjallë nga radhët e mijëra të zhdukurve në mbarë rajonin.

Ata që mundën të mbijetojnë në Aceh u panë të grumbulloheshin në zona të hapura, të pastrehë dhe pa ushqime. Në kryeqytetin e provincës, Banda Aceh, vazhdojnë të dalin trupa pasi niveli i ujit filloi të bjerë.

Zëdhënësja e UNICEF-it, Shantha Bloemen, thotë se duhen dërguar me urgjencë ujë i pastër dhe ushqime, për të parandaluar sëmundjet e shkaktuara nga përmbytjet, dhe rrjedhimisht, vdekjen e një numri edhe më të madh njerëzish.

"Tani që përballen me krizën, e dimë se kanë mungesa të ujit të pijshëm. Kur të mos kenë më ushqime, këta njerëz do të jenë në një rrezik edhe më të madh", thotë zëdhënësja.

Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell dhe Ministri i Jashtëm i Australisë, Alexander Downer pritet të arrijnë në rajon për të vlerësuar përpjekjet e shpëtimit dhe dëmet. Të enjten ata do të marrin pjesë në një konferencë për ndihmat që do të zhvillohet në Xhakartë.

Pas fatkeqësisë së shkaktuar nga tërmeti dhe dallgët sizmike, në vendet e goditura kanë filluar të shkojnë me shpejtësi ndihma të mëdha nga e gjithë bota. Qeveritë e vendeve të ndryshme të botës janë zotuar të japin mbi 2 miliardë dollarë dhe një numër i madh qytetarësh privatë janë zotuar të dhurojnë miliona të tjerë.

XS
SM
MD
LG