Lidhje

Shumë konflikte rajonale në botë luftohen kryesisht me armë të lehta - 2005-01-03


Kur forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara hynë në qytetin irakian të Falluxhës në fund të nëntorit, ata hasën një qëndresë të fortë nga kryengritësit.

Ata gjithashtu gjetën sasi të mëdha armësh të lehta të kryengritësve.

Rachel Stohl e Qendrës për Informacionin e Mbrojtjes në Washington thotë se sa më shumë armë të jenë në qarkullim në një shoqëri të caktuar, aq më të shumta janë shanset që ato të përdoren për të bërë keq.

“Kështu, në Irak për shembull, ku po gjenden sasi të mëdha armësh, nëse këto armë nuk mblidhen dhe shkatërrohen, që të mos përbëjnë më rrezik, mundësia është që të përdoren për krim, dhunë, frikësim të paqeruajtësve, kundër trupave në terren dhe kundër shtetasve të tjerë”.

Zonja Stohl thotë se në vende ku armët nuk mbahen nën kontroll, numri i tyre vetëm do të rritet . Dhe shanset janë që do të kalojnë përtej kufijve dhe në konflikte të tjera.

“Armët e vogla kushtojnë pak, i gjen gjithmonë me lehtësi, dhe i transporton kollaj, kështu që me to mund të bësh konflikte për vite e vite me radhë”.

Michael Krepon është Presidenti dhe themeluesi i Qendrës Henry L. Stimson, një Institut në Washington në mbështetje të paqes dhe sigurisë. Ai thotë se Iraku është vetëm njëri nga vendet ku përhapja e armëve të vogla është bërë një shqetësim i madh.

“Mund të fillonim ndoshta që nga gjysma e vendeve afrikane. Iraku, Irani dhe ndihma e Iranit ndaj forcave kryengritëse në Irak. Iraku është një problem i madh. Armët e vogla janë një problem i madh në Kashmir, për shkak të pretendimeve të Indisë dhe Pakistanit ndaj këtij rajoni. Kështu lista vazhdon edhe më tej”.

Një nga vendet e listës është Sudani: mijëra njerëz kanë ikur nga vendi, për shkak të një konflikti që po luftohet kryesisht me armë të lehta.

Dhuna në Republikën Demokratike të Kongos nxitet kryesisht nga armët e lehta, siç ishte lufta separatiste më Papua të Guinesë së Re në vitet 1990.

Armët e lehta u përdorën gjithashtu edhe në trazirat e Jemenit në Lindjen e Mesme, ku sipas njoftimeve ka tre armë për njeri.

Po këto armë ishin një problem i madh për forcat amerikane në Afganistan. Që kur forcat amerikane hynë në këtë vend në vitin 2001, Afganistani është bërë një nga historitë e suksesshme përsa u takon armëve të lehta. Shumë milicë atje ia kanë dorëzuar armët Kombeve të Bashkuara.

Rachel Stohl thotë se suksese të ngjashme ka patur edhe në zona të tjera.

“Çdo ditë po bëhet përparim në drejtim të armëve të lehta. Në komunitetet e Afrikës, në Amerikën Qendrore, po shohim sesi qytetarët po i dorëzojnë vullnetarisht armët dhe thonë se nuk duan t’i përdorin më si mënyrë jetese. Thonë që duan një shoqëri paqësore”.

Por Michael Krepon thotë se duhen ndërmarrë veprime ndërkombëtare për të zgjidhur problemin, përmes zgjidhjes së konflikteve, më shumë sesa duke u përpjekur që të ndalohet qarkullimi dhe përdorimi i armëve të lehta.

“Vendet që janë dëmtuar nga përdorimi i armëve të lehta, duhet të gjejnë paqe të brendshme me ndihmën e të huajve. Zgjidhja e konflikteve është përgjigjia më e mirë për problemin e armëve të lehta”.

Ekspertët thonë se pa një përpjekje më të madhe, armët e vogla do të vazhdojnë të jenë problemi më i madh i përhapjes së armëve.

“Më shumë njerëz humbin jetën nga armët e vogla, sesa nga ato të shkatërrimit në masë. Ky është një problem i madh dhe jashtëzakonisht i vështirë”.

XS
SM
MD
LG