Lidhje

Bush: Afganistani dhe Iraku bënë hapa të mëdha përpara në vitin 2004 - 2005-01-04


Presidenti Bush thotë se si Afganistani ashtu edhe Iraku bënë hapa të mëdha përpara në vitin 2004.

“Ky vit solli zgjedhjet e para presidenciale në 5 mijë vjetët e historisë së Afgansitanit dhe qeveria e Presidentit Hamid Karzai është aleate e vendosur në luftën kundër terrorit. Në Irak, një popull i shtypur për dekada me radhë po përgatitet të zgjedhë udhëheqësit e vet. Muajin e ardhshëm, irakianët do të shkojnë në votime për të shprehur vullnetin e tyre në zgjedhjet e lira”.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai thotë se afganët “kanë lënë pas një të kaluar të vështirë dhe të errët dhe kanë hapur një kapitull të ri në historinë e tyre”. Zoti Karzai premtoi se do të godasë tregtinë ilegale të drogës, do të pakësojë varfërinë dhe korrupsionin dhe do të çarmatosë milicitë rajonale. Në vitin 2005, afganët do të ndërmarrin një hap tjetër të madh në formimin e të ardhmes së tyre, kur të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe ato për qeveritë lokale.

Në Irak, më shumë se 13 milionë irakianë janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e caktuara për në 30 janar. Rreth 7 mijë kandidatë nga më shumë se 240 parti politike po bëjnë fushatë për 275 vendet në asamblenë kombëtare të Irakut. Asambleja do të zgjedhë zyrtarët e qeverisë dhe do të hartojë kushtetutën.

Presidenti Bush tha se në saje të koalicioneve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për çlirimin e Irakut dhe Afganistanit, më shumë se 50 milionë njerëz janë tani të lirë.

“Bota është më paqësore ndërkohë që liria po hesh rënjë. Shoqëritë e lira nuk luftojnë kundër njera tjetrës. Dhe kështu ne do të vazhdojmë t’u dërgojmë mesazhin reformatorëve në të gjithë botën se Amerika qendron e vendosur në bindjen e saj se liria është universale dhe shpreson se do të vijë një ditë kur çdo kush të jetë i lirë”.

“Shoqëritë e lira nuk eksportojnë terrorin”, tha zoti Bush.

“Qeveritë e lira respektojnë aspiratat e qytetarëve dhe përpiqen të realizojnë shpresat e tyre për një jetë më të mirë. Vendet e lira janë vende paqësore. Dhe vendet e lira në zemër të Lindjes së Mesme do t’u tregojnë të tjerëve, që duan të jetojnë në një shoqëri të lirë, se çfarë mund të arrihet në shoqëri të tilla”.

XS
SM
MD
LG