Lidhje

Kongresi i ri amerikan - 2005-01-05


Fitorja e Presidentit Bush në zgjedhjet e nëntorit nuk nënkupton se ai do ta ketë të lehtë të sigurojë miratimin në Kongres të programeve dhe projektligjeve që dëshiron.

Dje legjislatura e re e Kongresit amerikan - e 109a në histori, zhvilloi sesionin e saj të parë. Si rezultat i zgjedhjeve të nëntorit, republikanët e kanë forcuar më tej shumicën në senatin prej 100 anëtarësh dhe tani kanë 55 vende. Gjithashtu, ata e kanë rritur paksa shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh. Megjithatë mbetet për të parë se si do të veprojë Kongresi me projektligjet që do të paraqesë Presidenti Bush.

Legjislatura e re e Kongresit, vërtet që do të jetë më republikane se ajo para saj, por analistët politikë thonë kjo legjislaturë mund të kthehet në një arenë debatesh të ashpra, të tilla që nuk janë parë prej vitesh. Sepse problemet që do të trajtojë ajo janë mjaft delikate: reforma e sistemit të pensioneve, emërimet në Gjykatën e Lartë dhe ndryshimetg në ligjet e taksave. Analisti John Fortier këtu në Uashington, thotë se programi ambicioz i Presidentit Bush ka mundësi të hasë në rezistencë.

"Megjithëse Presidenti arriti një fitore bindëse në zgjedhje po të kemi parasysh se ne mendonim që ato do të përfundonin me rezultat shumë të ngushtë, shumica republikane në Kongres është ende shumë e vogël. Presidentit do t’i duhet të përpiqet t’i mbajë rtepublikanët të bashkuar në të dyja dhomat e Kongresit. Dhe në Kongres, ka raste kur shumë prej anëtarëve dëshirojnë të jenë të pavarur. Mund të ketë për shembull republikanë konservatorë që mund të jenë për shkurtim të shpenzimeve".

Disa anëtarë të tjerë mund të kundërshtojnë propozimin radikal të Presidentit Bush për reformimin e sigurimeve shoqërore, i cili parashikon hapjen e llogarive private të kursimeve për punonjësit. Ky propozim mund të kushtojë deri në 2 trilion dollarë dhe analistët thonë se disa republikanë nuk duan një rritje të mëtejshme të deficitit rekord të buxhetit.

Shumica e demokratëve e shohin sistemin e sigurimeve shoqërore si pjesë jetike të platformës së partisë së tyre dhe vështirë se mund ta mbështesin Presidentin në këtë pikë. Allen Schick, ekspert në Institutin Brookings të Uashingtonit, thotë se Presidenti Bush nuk mund të shpresojë se plani i tij do të miratohet me lehtësi.

"Për të fituar në çështjen e sigurimeve shoqërore, presidentit do t’i duhet ta shtrojë atë në publik sepse edhe pala tjetër do të përpiqet ta kundërshtojë propozimin e Presidentit me një fushatë reklamash. Demokratët do të mobilizojnë me këtë rast grupetg lobiste, grupet e interesit për të reklamuar pikpamjet e tyre të kundërta dhe kështu Presidentit do t’i duhet ta shtrojë çështjen për debat në të gjithë vendin. Ai nuk mund të fitojë në Kongres në rast se nuk fiton midis publikut amerikan".

Presidenti ka në plan ta fillojë një fushatë të tillë. Një tjetër betejë e pritshme në senat do të jenë emërimet për në GJykatën e Lartë të vendit. Një anëtar i kësaj gjykate është i sëmurë me kancer dhe së shpejti mund të dalë në pension. Zoti Schick thotë se demokratët kanë ende një numër të mjaftueshëm senatorësh për të bllokuar emërimin e një kandidati konservator republikan me anë të taktikave vonuese.

"Gjykatat në Shtetet e Bashkuara janë arena të rëndësishme që vendosin drejtimet politike. Ato jo thjesht zgjidhin mosmarrëveshjet por në fakt ndryshojnë shoqërinë dhe demokratët nuk dëshirojnë që përmes kontrollit republikan të gjykatës së lartë të prapsen disa prej ndryshimeve të mëdha të 20 vjetëve të fundit".

Other priorities for Mr. Bu-sh include income tax reforms, limits on malpractice lawsuits, and a plan for oil exploration in Alaska.

Sidoqoftë, analisti John Fortier thonë se zakonisht, në mandatin e tyre të dytë presidentët amerikanë pak gjëra arrijnë në programin e tyre legjislativ. "Në mandatin e tyre të dytë, zakonisht presidentët humbasin mbështetje në radhët e partisë së tyre dhe përballen me më shumë kundërshtime nga pala tjetër. Të gjithë e dinë se ky është mandati i fundit i një presidentit pas të cilit ai largohet, kështu që strukturat burokratike dhe Kongresi janë mësuar të presin deri sa ky mandat të mbarojë, thotë analisti John Fortier".

Gjithashtu, disa anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve që u duhet të kandidojnë çdo dy vit për t’u rizgjedhur, mund t’u duket e volitëshme që ta kundërshtojnë presidentin. Sipas analistëve, Presidenti Bush do t’i ketë shanset më të mëdha për sukses në periudhën deri në muajin gusht të këtij viti.

XS
SM
MD
LG