Lidhje

Sekretari Pauëll viziton zonat e goditura nga tërmeti dhe tsunami - 2005-01-06


Më shumë se 150 mijë njerëz humbën jetën në pjesë të Tajlandës, Indisë, Sri Lankës, Indonezisë dhe vendeve të tjera përreth Oqeanit Indian nga tsunami, dallgët rrënimtare të shkaktuara nga tërmeti i 26 dhjetorit. Rreth pesë milionë të tjerë janë prekur nga kjo katastrofë. Shumë kanë mbetur pa strehë ose pa ushqim dhe trajtim mjekësor. Indonezia është goditur më rëndë, me afro 100 mijë vdekje, dhjetëra mijëra të tjerë ende të humbur dhe me më shumë se 300 mijë refugjatë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, po viziton vendet e goditura nga tsunami. Në Bankok të Taljandës, zoti Pauëll zhvilloi bisedime me kryeministrin tajlandez, Thaksin Shinauatra: “Ne, tha Sekretari Pauëll, e kemi bërë të qartë se do të bëjmë ç’është e nevojshme për të mbështetur vendet e rajonit.”

Shefi i diplomacisë amerikane tha se përmasat e tragjedisë janë të papërfytyrueshme: “Unë nuk kam parë një ngjarje të vetme që të prekë 12 vende dhe të shkaktojë një numër kaq të madh vdekjesh. Dhe kur shikon ato që po ndodhin në Indonezi dhe Sri Lankë, e kupton se është me të vërtetë një tregjedi e përmasave shumë të mëdha.”

Zyrtarë të agjencive të ndihmave thonë se afro dy milionë banorë të rajonit kanë nevojë për ndihma ushqimore dhe mjekësore. James Kunder i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar thotë se një ndër përparësitë kryesore janë edhe përpjekjet për të ndihmuar njerëzit që të fillojnë procesin e rindërtimit: “Ajo që thonë ekipet tona të vlerësimit, siç është njoftuar edhe nga mjetet e informimit, është se pasojat shoqërore dhe psikologjike të krizës janë shumë të rënda. Njerëzit janë ende të ç’orientuar, ende të tronditur nga përmasat tejet të mëdha të krizës, dhe duke u bazuar në përvojën që kemi fituar nga kriza të mëparshme të këtyre poërmasave, është me rëndësi që të bëhet ç’është e mundur për t’i kthyer njerëzit në punë.”

Më shumë se tre miliardë dollarë janë premtuar deri tani nga qeveri, organizata joqeveritare dhe Kombet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar 350 milionë dollarë. Siç ka thënë Presidenti Bush: “Së bashku, bota do t’i përballojë humbjet dhe do të ngadhënjejë mbi këtë katastrofë.”

XS
SM
MD
LG