Lidhje

Powell konfirmon se OKBja do të drejtojë operacionet e shpëtimit - 2005-01-06


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell thotë se Washingtoni ende po shqyrton se cilat janë nevojat në Azinë jugore të goditur nga cunami, para se të premtojë fonde të tjera për operacionet e ndihmave. Ai tha sot në një konferencë ndërkombëtare në Xhakartë, se është mirë të tregohet kujdes me shumat e premtuara ndërkohë që nuk ka përfunduar shqyrtimi i nevojave.

Zoti Powell tha se operacioni masiv ushtarak amerikan, me bazë në Tailandë do të vazhdojë dhe konfirmoi se Kombet e Bashkuara do të marrin tani në dorë drejtimin e ndihmave. Ai tha se bashkërendimi i ndihmave vazhdon të jetë detyra më e ngutëshme. Punonjësit e ndihmave thonë se rreziku më i madh për jetën e të mbijetuarve janë epidemitë.

Agjencitë e OKB-së kanë paralajmëruar për epidemi në kampet e ndihmave si dhe për abuzime të mundshme seksuale dhe shfrytëzimin e grave e të fëmijëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i përgjithshëm i të vdekurve nga katastrofa, që llogaritet në rreth 150 mijë, mund të dyfishohet në kushtet kur qindra mijë njerëz jetojnë së bashku në turma të mëdha dhe me rezerva të vogla uji të pijshëm.

XS
SM
MD
LG