Lidhje

Shqipëri: Vazhdon mbledhja e fondeve për viktimat e Cunamit - 2005-01-06


Në Shqipëri vazhdojnë të mblidhen fonde në ndihmë të popullsisë së Azisë jugore të goditur nga tërmeti, ndërsa 18 persona janë regjistruar si vullnetar për të shkuar në Indonezi pranë “Skuadrës Shqiptare” grupit të ngritur për koordinimin e ndihmës. Por ministri i Shëndetësisë Leonard Solis deklaroi sot se Organizata Botërore është kërkuar që momentalisht në terren të dërgohen vetëm fonde financiare dhe jo mjekë.

Fushata e solidaritetit me vendet e prekura nga një prej fatkeqësive më të mëdha natyrore po përfshin dita ditës gjithnjë e më shumë institucione, organizata dhe individë në Shqipëri. Drejtuesit e Skuadrës Shqipëria, grupit të krijuar për të koordinuar nismat dhe ndihmat që po mblidhen për popullatën e prekur nga Tsunami, thanë sot se pranë tyre janë regjistruar të paktën 18 persona që janë ofruar të shkojnë vullnetarë në Indonezi. Shumica dërrmuese e tyre janë mjekë, profesioni për të cilin aktualisht ka më shumë nevojë. Por ministri i Shëndetësisë leonard Solis njoftoi sot se organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar për momentin mbështetje financiare dhe jo dërgimin e ekipeve të mjekëve për shkak të mungesës së organizimit në vendet e prekura: "Udhezimi i Organizates boterore te Shendetesise keshillon te gjithe ministrat e shendetesise qe te bejne gati mjeke por te mos kene asnje kontingjent per te nisur aktualisht. Njerez te shkeputur qe nuk do te dine ku te shkojne por do te shtojne konfuzionin, qe as do te ofronin gje, as do te dine ku do shkojne, ne kete menyre, rekomandohet mos dergoni njerez, dergoni fonde ose veproni neperjet organizmave te specializuara sic eshte Kryqi i Kuq"

Ministri Solis tha se megjithatë do të ngrihet ekipi i mjekëve të specializuar i cili do të jetë i gatshëm për tu dërguar në vendet Aziatike. Por përfaqësuesit e Skuadrës Shqipëria thanë nga ana e tyre se qarkorja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë bën fjalë për një periudhë të shkurtër kohore, deri në nrgitjen e strukturave koordinuese, të cilat sipas tyre do të jenë formuar deri javën e ardhshme kur është parashikuar nisja e grupit të parë nga Shqipëria. Dy përfaqësues do të ndërmarrin udhëtimin e tyre në këtë fundjavë në mënyrë që të përgatisin bazën logjistike. Ekipi nga Shqipëria sipas tyre do të duhet të instalohet në Banda Ace, qyteti më i prekur nga Cunami me mbi 90 mijë viktima.

Drejtues të lëvizjes Mjaft, të cilët u bënë nismëtarë të ngritjes së Skuadrës Shqipëria u pritën sot dhe nga presidenti Alfred Moisiu i cili ofroi rrogën e tij mujore si kontribut ndaj vendeve aziatike.

Nga ana tjetër edhe kryqi i Kuq i cili ka marrë tashmë 500 mijë dollarë nga qeveria shqiptare ka deklaruar se po mbledh fonde të tjera, por nuk ka preferuar të deklarojë shumën e grumbulluar deri më tani.

Kontribute të tjera po mblidhen edhe nga Këshilli Rinor Shqiptar i cili ka ngritur stenda në rrugët kryesore të kryeqytetit duke kërkuar kontributet e qytetarëve të cilat do t’i kalojnë Unicefit në ndihmë të fëmijëve të prekur nga tërmeti.

XS
SM
MD
LG