Lidhje

Ekspozita vjetore e makinave - 2005-01-06


Prodhues makinash nga e gjithë bota paraqitën modelet e tyre në një ekspozitë makinash në Los Angeles. Kompanitë prodhuese nga Evropa, Amerika dhe Japonia u mblodhën për ekspozitën vjetore, ndërkohë që të dhënat nga kjo industri tregojnë se shitjet në Shtetet e Bashkuara u rritën në vitin 2004 për herë të parë që prej katër vjetësh.

Kryesisht falë forcimit të tregut në dhjetor, shitjet për vitin 2004 u rritën rreth 1 për qind në krahasim me vitin 2003.

Firmat e prodhimit të makinave shpresojnë që kjo të jetë shenjë e rimëkëmbjes së shitjeve dhe po nxjerrin modele të reja për vitin e ri.

Kërkesa në nivel rekord për makinat më të mira japoneze në vitin 2004, solli si rezultat rënien e aksioneve të prodhuesve të makinave amerikane në Detroit, në një nivel të paparë ndonjëherë.

Aksionet në Shtetet e Bashkuara për General Motors, Ford dhe Chrysler ranë në 58.7 për qind në vitin 2004, nga 60.2 për qind në vitin 2003, sipas firmës Autodata Corporation që studion tregun e makinave.

Dega e Toyotës në Amerikë shiti mbi dy milionë makina për herë të parë që kur u krijua para 47 vjetësh, ndërsa shitjet e saj u rritën me 10 për qind në vitin 2004.

Shitjet e Hondës u rritën me 30 për qind në dhjetor, duke e bërë vitin 2004, të 11-in radhas që sjell rritje në ritmet e shitjeve për këtë kompani. Analistët thonë se rritja e shitjeve për makinat e prodhimit aziatik në Shtetet e Bashkuara, pritet të vazhdojë në vitin 2005.

“Këto janë makinat më të mira që kanë dalë në qarkullim prej vitesh për këto kompani, gjë që po i bën njerëzit t’i kthehen blerjes së makinave, që ka qenë problem kohët e fundit. Sot njerëzve u është kthyer pasioni për këtë biznes. Ata janë të kënaqur për makinat dhe kërkojnë që ato të jenë funksionale”.

Prodhuesit evropianë të makinave po bëjnë përpjekje të sfidojnë prodhuesit japonezë dhe amerikanë, përmes shpikjeve të reja.

Kompania që prodhon Mercedesin, Daimler Chrysler deklaroi këtë vit se kishte arritur synimin për të nxjerrë në treg 100 makina që kthejnë hidrogjenin në energji elektrike.

Kompania thotë se grupi më i madh i makinave me energji përbëhet nga automjete Mercedes Benz.

Ndërkohë, kompania me qendër në Monaco, Venturi Automobiles po nxjerr në treg makinën e tij me dy vende me energji elektrike për 660 mijë dollarë.

“Gjëja e veçantë e kësaj makine, është se është elektrike dhe ndoshta e para makinë elektrike që është edhe tërheqëse”

Kompania ka në plan ta nxjerrë në treg makinën në Shtetet e Bashkuara.

Volkswagen thotë se ka në plan të sjellë në tregun amerikan makina që djegin naftë pa ndotje, duke thënë se teknologjia është një alternativë më e mirë sesa hibridet, ose makinat me hidrogjen.

XS
SM
MD
LG