Lidhje

Këtë javë në Hollivud - 2005-01-07


Hollivudi po përgatitet për ceremoninë e çmimeve Oskar për vitin 2005, që do të zhvillohet në muajin shkurt. Ka zëra të shumtë që Jamie Fox është pretendenti më i fortë në kategorinë e aktorit më të mirë për lojën e tij në filmin Ray, ende pa u shpallur kandidaturat. Por ngjarjet e ditëve të fundit në Azi, duket se e kanë eklipsuar këtë ngjarje të bujshme, duke e përqëndruar vëmendjen e artistëve në përpjekjet humanitare. Edhe për aktorët e Hollivudit dhe figura të tjera të artit, tragjedia e Cunamit ishte këtë javë në epiqendër të vëmendjes. Fatkeqësia natyrore që preku Azinë jugore ka nxitur një përgjigje të fuqishme bamirëse nga Hollivudi.

Aktori Leonardo de Caprio e njeh nga afër një nga zonat e prekura nga cunami, ishullin Phi Phi të Tailandës ku ka xhiruar filmin “The Beach.” Ai ka ofruar një shumë të pa publikuar për viktimat e cunamit. Ndërkaq aktorja Sandra Bullock ka dhuruar një milion dollarë për Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.

Edhe figura të tjera të njohura po i përgjigjen fatkeqësisë me një zemërgjerësi të madhe. Tenistja Maria Sharapova i ka dorëzuar një çek për 10 mijë dollarë kryeministrit të Tailandës, ndërsa kampioni i garës Formula Uno, Michael Shumaker është zotuar të dhurojë 10 milion dollarë.

Basketbollisti Kobe Bryant, ndoshta me shpresën për publicitet pozitiv, është një ndër 7 lojtarët e ligës kombëtare amerikane të basketbollit, NBA që do të dhurojnë nga 1 mijë dollarë për çdo pikë që shënojnë këtë javë.

Në traditën e koncertit të famshëm Live Aid, që arriti të grumbullojë miliona dollarë për fëmijët në Afrikë, artistët kanë organizuar koncerte të ndryshme për të grumbulluar fonde për viktimat e cunamit. Grupi amerikan i rokut Linkin Park në bashkëpunim me Kryqin e Kuq po përpiqet të krijojë një organizatë bamirëse të quajtur “Music for Relief” Muzika në Ndihmë për viktimat. Pjesëtarët e grupit kanë dhuruar vetë 100 mijë dollarë dhe shpresojnë që shembulli i tyre të ndiqet nga muzikantë të tjerë. Në Britani vazhdojnë përgatitjet për një koncert të madh më 22 janar që pritet të grumbullojë afro 2 presje 5 milion dollarë, me pjesëmarrjen e U2, Coldplay dhe The Darkness.

Një tjetër gjest bamirësie përsëri nga Britania, ku në Londër u hap me ceremoninë tradicionale sezoni i ri i shitjeve në mapon e famshme Harrods. Në ceremoni ishte i pranishëm drejtori ekzekutiv i kompanisë Harrods, Mohamed Al Fayed, i cili u angazhua të paguante 2 për qind të shitjeve të ditës, një shumë prej afro 286 mijë dollarësh për viktimat e cunamit në Azi. Por dritat e kamerave dhe vëmendja e publikut ishin përqëndruar tek aktorja Lusi Liu, e cila arriti me një pajton me kalë për të prerë shiritin që shënon fillimin e sezonit.

Pas numërimit tradicional deri në momentin e hapjes së dyqanit, Lusi u shoqërua në dyqanet e ndryshme të mapos. Hapja ceremoniale për këtë vit të ri tërhoqi afro 5 mijë blerës. Aktorja 37-vjeçare aktualisht po punon për filmin Lucky Number Slevin’ së bashku me aktorët Bruce Willis dhe Josh Hartnett e Morgan Freeman.

Ndër zhvillime të tjera të botës së artit, në Hollivud kanë filluar përgatitjet për ceremoninë më prestigjoze në nder të arritjeve kinematografike. Është fjala për çmimet Oskar për vitin 2005. Pritet që ndër kandidatët për këtë çmim në kategorinë e aktorit më të mirë të përfshihet Jamie Fox për portretizimin e tij të artistit Ray Charles në filmin “Ray”. Pritet që nderimi i Jamie Foxit për këtë rol të jetë njëkohësisht edhe një vlerësim i jetës dhe gjenialitetit të Ray Charlsit, i cili vdiq vjet në qershor.

Ndër kandidatët e tjerë të mundshëm janë Leonardo di Caprio për filmin The Aviator dhe Johny Depp për lojën e tij në filmin Finding Neverland. Kandidaturat do të njoftohen më 25 janar 2005, ndërsa ceremonia do të zhvillohet më 27 shkurt 2005.

XS
SM
MD
LG