Lidhje

Sekretari amerikan i Shtetit viziton zonat e goditura nga cunami - 2005-01-07


Sekretari amerikan i Shtetit Kolin Pauëll dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan panë nga afër qytetet dhe fshatrat bregdetare të shkatërruara nga cunami i fuqishëm i 26 dhjetorit në Azinë jugore.

Pasi vizitoi provincën Aceh në Indonezi, zoti Anan shprehu tronditjen e thellë që ndjeu nga niveli i shkatërrimit. Indonezia ka konfirmuar më shumë se 7 mijë viktima të tjera sot, gjë që e çon numrin e përgjithshëm të vdekjeve në këtë vend në më shumë se 100 mijë, pjesa dërrmuese në provincën Aceh. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i viktimave nga cunami ka arritur në mbi 153 mijë vetë.

Në Sri Lankë, Sekretari i Shtetit Kolin Pauëll vizitoi fshatrat e goditur rëndë në jug të vendit dhe vlerësoi përpjekjet për rindërtimin e komuniteteve. Zoti Pauëll tha se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një fond ndihmash prej afro 25 milion dollarësh për Sri Lankën dhe janë të angazhuara për të ndihmuar në përpjekjet e rindërtimit në këtë vend.

Punonjësit e ndihmave thonë se nuk ka pasur ndonjë përhapje shqetësuese sëmundjesh në banorët e zonës, por shtojnë se probleme në dukje të vogla si diareja apo plagosjet mund të kenë pasoja fatale nëse nuk mjekohen. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se mungesa e kushteve sanitare mund të shkaktojë shpërthimin e epidemive, gjë që mund ta dyfishojë numrin aktual të viktimave.

XS
SM
MD
LG