Lidhje

Ballkani 2005: Shqetësime për trazira dhe shpresa për përparim drejt integrimit evropian - 2005-01-08


Rajoni i Ballkanit e fillon vitin 2005 nga njëra anë mes shqetësimeve për mundësinë e trazirave dhe nga ana tjetër mes shpresave për përparim drejt integrimit evropian. Kolegia Keida Kostreci u kërkoi disa analistëve që të japin mendimet e tyre për ngjarjet kryesore të vitit 2004 në rajon dhe se çfarë parashikojnë ata se do të sjellë viti 2005.

Pranvera e vitit 2004 solli trazira në Kosovë. Aktet e dhunës kundër serbëve dhe pronave të tyre u kujtoi të gjithëve se gjendja atje vazhdon të jetë shpërthyese, me një popullsi të zhgënjyer nga status-quo-ja dhe tensionet mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe.

Stephen Larrabee, drejtor i Çështjeve të Sigurisë Evropiane në Korporatën RAND në Washington, thotë se Kosova ishte problemi më i mprehtë në Ballkan vitin e kaluar.

“Mendoj se ngjarja më e rëndë ishin ndoshta trazirat në Kosovë, sepse nxorrën në pah faktin se sa e paqëndrueshme është gjendja në Kosovë dhe sipas mendimit tim e bën më urgjente nevojën për diskutimin e statusit të Kosovës”.

Franz-Luthar Altman, drejtor për Ballkanin në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, ka të njëjtin mendim.

“Ato zhvillime të rënda në mars ua ndryshuan mendimin shumë perëndimorëve, pasi ishte një kujtesë që çështja e Kosovës është ende e pazgjidhur, si edhe shkaktoi polemika të shumta mes perëndimorëve dhe në komunitetin ndërkombëtar për rrugën që duhet të marrë në të ardhmen e afërt çështja e Kosovës, që është problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor”.

Franz-Luthar Altman thotë se siguria në rajon ka qenë shqetësim që në fillim të viteve 1990.

“Ka ende shumë pasiguri që burojnë nga problemet e pazgjidhura politike, si për shembull mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, apo në Kosovë. Por nga ana tjetër, mendoj se duhet ta pranojmë që ka patur përmirësime përsa i takon gjendjes së sigurisë në përgjithësi në Ballkan. Me kalimin e viteve kemi arritur në një pikë, kur as nuk mund të mendohet që të ketë konflikte të përgjakshme, si ato të mëparshmet”.

Analistët janë të një mendjeje se një nga çështjet më të rëndësishme, në mos më e rëndësishmja për Ballkanin në vitin 2005, do të jetë marrja në shqyrtim e statusit përfundimtar të Kosovës, nga mesi i vitit.

Martin Sletzinger, drejtor i studimeve për Evropën Lindore në Qendrën Woodrow Wilson në Washington, vë në pah lidhjen mes nevojës për siguri dhe integrimit evropian të Ballkanit.

“Mendoj se evropianët, të paktën disa prej tyre kanë ndjesinë se procesi i integrimit evropian dhe qëndrueshmëria në Evropën Jug-Lindore dhe në Ballkan kanë një emërues të përbashkët: procesi i integrimit evropian, do të konsolidonte qëndrueshmërinë”.

Zoti Sletzinger mendon se përpjekjet për integrim evropian duhet të bëhen njëkohësisht me ato për statusin e ardhshëm të Kosovës, për të shmangur paqëndrueshmërinë në rajon, në rast se ajo merr pavarësinë.

Ai shton se qëndrueshmëria është një domosdoshmëri tani që si brenda Bashkimit Evropian, ashtu edhe në Ballkan ka filluar një përpjekje serioze për t’i afruar vendet e këtij rajoni më shumë me Evropën. Ai e konsideron këtë përpjekje, zhvillimin më me rëndësi në Ballkan për vitin 2004.

“Mendoj se është bërë fakt i pamohueshëm në këto vende se ky drejtim është e ardhmja dhe mbi këtë kuadër mbi vullnetin për integrim evropian mbështetet zhvillimi i tyre i brendshëm, marrëdhëniet ndërkombëtare si me njëri-tjetrin, ashtu edhe me Amerikën dhe pjesën tjetër të Evropës”.

Zoti Altman i Institutit Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë thotë se pas zgjerimit të Bashkimit Evropian vitin e kaluar, është e qartë se destinacioni i Ballkanit është bërë tani Brukseli.

“Sipas mendimit tim, ngjarja kryesore ishte zgjerimi i 1 majit, që duket në pamje të jashtme sikur pothuajse nuk ka asnjë lidhje me Ballkanin, por që pa diskutim do të ketë ndikim, sepse Sllovenia dhe Hungaria janë tani anëtare të Bashkimit Evropian dhe nuk ka dyshim që edhe dy, ose tre vende, nëse llogarit edhe Kroacinë, do të anëtarësohen”.

Por Stephen Larrabee i korporatës RAND thotë se megjithëse vendet e Ballkanit e kanë drejtimin në Bashkimin Evropian, një gjë e tillë nuk do të ndodhë shumë shpejt.

“Nuk më duket se vendet e këtij rajoni, me përjashtim të Kroacisë, kanë ndonjë perspektivë për t’u anëtarësuar në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Bashkimi Evropian ka plot çështje nëpër duar për momentin, mes së cilave ratifikimin e kushtetutës, integrimin e 10 anëtarëve të rinj dhe negociatat për anëtarësimin e Turqisë. Kështu të gjitha këto të lënë të kuptosh se kjo organizatë do të ketë plot çështje të tjera për të zgjidhur. Mendoj se në këto kushte do të jetë shumë e vështirë që të nxisë intensivisht integrimin e vendeve të Ballkanit”.

Ndërkohë që Kroacia pritet të fillojë negociatat për anëtarësim në BE këtë pranverë, Maqedonia e ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Për Shqipërinë, përparimi në negociata për të njëjtën marrëveshje, është kryesisht i lidhur me ecurinë e zgjedhjeve të këtij viti.

Ndërkohë, Mali i Zi ka në plan të mbajë një referendum në vitin 2006 për pavarësi nga Unioni Serbi Mali i Zi dhe kjo do të jetë edhe një çështje tjetër me të cilën do të përballet rajoni i Ballkanit këtë vit.

XS
SM
MD
LG