Lidhje

Një emërim i Gjykatës së Lartë, mund të hapë një betejë mes republikanëve dhe demokratëve - 2005-01-08


Republikanët shpresojnë se presidenti Bush do të ketë rastin të emërojë të paktën një anëtar të Gjykatës së Lartë, gjatë mandatit të tij të dytë që fillon më 20 janar. Por, korrespondenti ynë Jim Malone njofton se demokratët po pregatiten për një betejë të vërtetë mbi emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë.

Kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga emërimi i një anëtari të ri të Gjykatës së Lartë. Kjo është periudha më e gjatë pa patur një vend bosh në këtë gjykatë prej 9 anëtarësh.

Në të njejtën kohë, kanë lindur shqetësime rreth gjendjes shëndetësore të kryetarit të Gjykatës së Lartë, 80 vjeçarit William Rehnquist, i cili vuan nga kanceri në gjendrat teroide. Ai do të drejtojë betimin e Presidentit Bush më 20 janar.

Meqënëse pritet që brenda pak vitesh të hapet një vend në Gjykatën e Lartë, veprimtarë nga të dy partitë janë tashmë duke u përgatitur për atë që mund të jetë një betejë e gjatë në Senat mbi emërimin në Gjykatën më të lartë të vendit.

Republikanët janë duke i bërë thirrje presidentit Bush të emërojë një jurist konservator në rast se hapet një vend.

Bruce Fein, një ish-jurist në Departamentin i Drejtësisë në administratën e Presidentit Reaganit mendon se presidenti duhet të zgjedhë dikë që të pajtohet me mendimet e dy gjykatësve më konservatorë në Gjykatën e Lartë, Antonin Scalia dhe Clarence Thomas.

“Unë propozoj që Presidenti Bush të emërojë një konservator, pikëpamjet e të cilit të përputhen me atë të gjykatësit Scalia dhe Thomas, ashtu siç premtoi gjatë fushatës së zgjedhjeve.”

Presidenti Bush nuk ka lënë të kuptohet se kush mund të jetë kandidat i mundëshëm, por komentet e tij pas rizgjedhjes duket se kanë inkurajuar konservatorët të mendojnë se ai do ta mbajë premtimin për të emruar një konservator.

“Më pyesni se a ndihem i lirë? Unë kam fituar kapital politik në fushatë dhe tani do të mundohem ta shpenëzoj. Ky është stili im”, tha Presidenti Bush.

Edhe demokratët e opozitës po përgatiten për një betejë mbi një emrim të mundshëm në Gjykatën e Lartë. Grupet liberale po e paralajmërojnë presidentin Bush se me një emërim të moderuar ai do të siguronte më lehtë miratimin e kandidatit të tij nga Senati.

Nan Aron i Grupit Alenaca për Drejtësi ka kundërshtuar shumë herë emërimet e presidentit Bush në gjykatat federale. Ajo thotë se Gjykata e Lartë është tashmë konservatore, në qoftë se do të emërohet edhe një konservator tjetër atëherë Gjykata e Lartë do të anojë tepër nga e djathta.

Analistë politikë thonë se emërimet në Gjykatën e Lartë kanë rëndësi të madhe sepse është një fushë në të cilën presidenti mund të lërë gjurmë që ndihen gjatë edhe mbasi presidenti të largohet nga detyra.

Historiani i presidencës në Universitetin Amerikan në Washington, Allan Lichtman, thotë:

“Tradita e një presidenti shtrihet me dekada kur ai emëron anëtarë të Gjykatës së Lartë. Presidenti Bush e di se konservatorët që janë pjesa dominuese në Partinë Republikane do të bëjnë trysni për një kandidat shumë konservator, ndërkohë që demokratët do të bëjnë thirrje për emrimin e një kandidati të moderuar.”

Çdo emërim do të debatohet në Senat, ku kërkohet shumica e thjeshtë për miratim. Por, demokratët do të përpiqen ta bllokojnë emërim, nëpërmjet taktikës parlamentare, duke u angazhuar në debate pa fund. Për të mbyllur një debat të tillë duhen 60 vota. Senati është i përbërë nga 100 anëtarë, 55 republikanë, 44 demokratë dhe një i pavarur.

XS
SM
MD
LG