Lidhje

Strukturat politike shqiptare të Luginës së Preshevës dënojnë vrasjen e një të riu - 2005-01-08


Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Preshevës e kanë dënuar në mbledhjen e jashtëzakonshme të së shtunës vrasjen e 16 vjeçarit, Dashnim Hajrullahu duke i akuzuar për këtë pjesëtarët e Ushtrisë serbomalazeez dhe kanë kërkuar që autorët të gjykohen para gjykatës lokale. Mirëpo, minsitri i Mbrojtjes së Unionit Serbi- Mali i Zi, Përvosllav Dabviniq ka thënë se Hajrullahu është vrarë pasi ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin Serbi Maqedoni, dhe organet kufitare kanë reaguar në përputhje me rregullat e shërbimit.

Mbledhja e Kuvendit të Preshevës kaloi në atmosferë të tendosur pasi shumë qytetarë u përpoqën të futen në ndërtesën e kuvendit lokal ku ishin mbledhur para fillimit të takimit.

Këshilltarët kanë shfaqur dyshimin në qëllimet e sinqerta të zyrtarëve të ushtrisë serbomalazeze lidhur me vrasjen e Dashnim Hajrullahut dhe kanë kërkuar që të iniciohen përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në këtë trevë.

Mbledhja do të vazhdojë të hënën, më 10 janar, për kur është caktuar edhe protesta e qytetarëve në qendër të Preshevës, kurse konkluzionet do t’u dërgohen strukturave shtetërore të Serbisë dhe institucioneve ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit, Ragmi Mustafa u ka premtuar qytetarëve se konkluzionet e kuvendit do të jenë edhe shenjë e protestës për vrasjen e të riut Hajrullahu dje afër fshatit Miratoc pranë kufirit me Maqedoninë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Luginën, Skender Destani ka thënë se situata për momentin është e qetë, por disa njerëzve në Beograd nuk i intereson kjo qetësi. Ai ka nënvizuar se është pikëlluese që shteti po i vret fëmijët e vet, dhe ka shtuar se përgjegjësinë për këtë e bartin ekskluzivisht pjesëtarët e ushtrisë. Prefekti i Preshevës, Riza Halimi ka thënë për mediat serbe se në këtë trevë situata është tendosur dukshëm pas kësaj vrasjeje.

Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Orhan Rexhepi është angazhuar për miratimin e një deklarate politike dhe ka vlerësuar se është e domosdoshme prezenca e trupave të huaja në Luginën e Preshevës dhe çmilitarizimi i plotë i jugut të Serbisë

Ministri i Mbrojtjes të Unionit Sermbomalazez, Përvosllav Daviniq ka deklaruar sot në Bujanoc se Dashnim Hajrullahu është vrarë me rastin e kalimit ilegla të kufirit, kurse organët kufitare kanë reaguar në harmoni me rregullat e shërbimit. Ai ka paralajmëruar hetime rreth vrasjes dhe sanskione eventuale nëse ka pasur lëshime në kryerjen e detyrës.

Daviniq ka thënë se situata në atë trevë është e qëndrueshme dhe se "nuk po përgatiten kurrfarë trazirash dhe çrregullimesh”.

Mirëpo, kryetari i Trupit Koordinues për jugun e Serbisë, Nebojsha Çoviq ka deklaruar se hetimet lidhur me këtë vrasje duhet t’i zvhillojë një komision shumëetnik i cili do t’i shqyrtonte të gjitha detajet.

Çoviq e ka kritikuar ministrin Daviniq dhe krerët ushtarak që kanë qëndruar sot para dite në Bujanoc dhe kanë premtuar hetimet e kësaj vrasjeje. Ai ka thënë se shpreson se ka kaluar euforia e deklaratave të gabuara dhe të dëmshme që janë të pranishme gjatë disa muajve të fundit kur është folur për pranverën e përgjakshme në jug të Serbisë.

Dëshmitarët nga fshati Miratoc kanë pohuar për media se Hajrullahu është qëlluar me armë zjarri, afro 500 metra brenda territorit të Serbisë, nga pjesëtarët e ushtrisë serbomalazeze pa paralajmërim dhe se pas vrasjes së tij e kanë tërhequr kufomën afër vijës kufitare.

Në shenjë revolte, qindra qytetarë janë tubuar mbrëmë në vendin e ngjarjes dhe në shkollën e fshatit Miratoc. Përfaqësuesit politik të shqiptarëve thonë se kjo vrasje është rezultat i militarizimit të skajshëm të rajonit nga forcat serbe dhe ndikon negativisht në stabilitetin e Luginës së Preshevës.

XS
SM
MD
LG