Lidhje

Paqja dhe mirëqënia në shekullin e 21të - 2005-01-09


Gjatë shekullit të kaluar njerëzimi përballoi dy luftëra botërore dhe luftën e ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit, e cila mori fund me rënien e murit të Berlinit. Ky moment ngjalli shpresa tek njerëzit të cilët besuan se në shekullin 21 do të mbizotëronte paqja dhe mirëqënia. Deri tani, shpresat kanë qenë të mjegulluara, por ka shenja dhe tendenca që tregojnë se këto objektiva të larta mund të bëhen realitet.

Ekonomia kineze, e mbështetur nga exporti i madh në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, i priu botës në zhvillim me një rritje prej 9 përqind për 2004-ën. Disa analistë thonë se Kina do të konkurojë me vendet më të zhvilluara ekonomike nga mesi i këtrij shekulli. ”Unë mendoj se qendra e ekonomisë botërore do të jetë në Kinë. Mbarëvajtja e ekonomisë kineze do të lehtësojë gjithashtu ekonominë amerikane dhe atë evropiane, ” tha Lorraine Segil.

Lorraine Segil është këshilltare për biznes ndërkombëtar. Ajo mendon se një Kinë e fortë ekonomikisht do të kërkojë të ketë më shumë influencë politike në botë.

Mungesa e lirisë, terrori, vuajtjet, varfëria dhe sëmundjet janë nga problemet më të përhapura sot në botë. Analistët thonë se vendet të cilat u kanë mbyllur dyert lirisë politike dhe ekonomike janë në përgjithësi vendet e mbytura në këto probleme, si pothuajse e gjithë Afrika, një pjesë e madhe e Azisë, vendet Kaukaziane, vendet e Lindjes së Mesme, Ballkani dhe Karaibet.

Thomas Barnett, një kërkues pranë Kolegjit Detar Amerikan të Luftës, thotë se lënia mënjanë e tyre, sipas sugjerimit të disa individëve, do të çonte në keqësimin e kushteve në këto vende dhe do të rriste pasigurinë në botë, për shkak të terrorizmit që buron nga këto pjesë të botës. ”Ne duhet t’i ndalojmë veprimtaritë terroriste, trafikun e paligjshëm të armëve, parave dhe të njerëzve. Arsyeja për ndalimin e këtij lloj trafiku është se ai u zë vendin qarkullimeve të ligjshme dhe pozitive.”

Një mënyrë pozitive qarkullimi, thotë gjithashtu z. Barnett, është emigracioni i ligjshëm nga vendet e mbipopulluara ne vendet me popullsi të ulët, qarkullimi i naftës nga vendet e Lindjes së Mesme dhe investimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa në vendet në zhvillim, lëvizje të cilat vështirësohen nga terrorizmi. Për këtë arsye, në këtë shekull është e mundur të shikojmë ndërhyrje të tjera ushtarake amerikane të ngjashme me ndërhyrjen ushtarake në Irak.

Lorraine Segil thotë se dekadat e ardhëshme në Lindjen e Mesme do të influencohen shumë nga ajo që do të ndodhë në Irak në 6 muajt e ardhshëm. ”Ekonomia kineze ka shpërthyer për shkak të bashkëpunimit ekonomik me Taiwan, Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera në botë.” Ajo thekson gjithashtu se bashkëpunimet që kalojnë kufijtë e një vendi kanë një potencial të madh të rritin nivelin e jetesës në vendet në zhvillim.

Ann Florini, analiste pranë Institutit Brookings, thotë se organizatat joqeveritare mund të luajnë rol të rëndësishëm në zgjidhjen e shumë problemeve ndërkombëtare. ”Organizatat joqeveritare kanë ushtruar ndikim të madh mbi rregullat botërore. Me fushatat e organizuara ato kanë treguar se mund të ninluencojnë qeveritë për të konsideruar një interes publik më të gjerë. ”

Ann Florini thekson gjithashtu se vendet e pasura duhet të bëjnë një politikë për një ndarje më të përpjesëshme të pasurisë dhe pushtetit politik. Kjo e shoqëruar me lirinë mund të bëjë të mundur që bota në shekullin 21 të gëzojë paqe dhe mirëqënie.

XS
SM
MD
LG