Lidhje

Masat e sigurisë pas sulmeve të 11 shtatorit - 2005-01-09


Që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, janë shtuar masat e sigurisë të cilat të bien në sy nëpër aeroporte, në kufi, si dhe në ndërtesat federale, për të parandaluar sulme të mëtejshme. Por si po punojnë shkencëtarët që të na mbrojnë nga sulme të mundëshme kimike dhe biologjike?

Kohët e fundit Departamenti i Sigurisë Kombëtare e uli nivelin e kërcënimeve nga i lartë në të mesëm. Ndërkohë që qeveria amerikane vazhdon vrojtimin dhe analizat e informacioneve kërcënuese, shkencëtarët vazhdojnë kërkimet për gjetjen e metodave dhe të kurave në rast se sulme të tjera terroriste vijnë nga burime të panjohura.

Një fushë e pambrojtur është uji. Nëse furnizimet e vendit me ujë helmohen, mund të duhen ditë të tëra për të zbuluar se çfarë lloj agjenti biologjik është përdorur. Mungesa e ujit do të sjellë vdekjen e mijëra njerëzve.

Shkencëtarët e Laboratorit Kombëtar Sandia në Kaliforni kanë punuar për 8 vjet dhe kanë shpenzuar 20 milionë dollarë në gjetjen e një sistemi që në mënyrë automatike dhe të vazhdueshme kontrollon ujin për agjentë biologjikë, bakterie apo viruse, brenda pak minutash.

Kjo pajisje po testohet në rezervuarët e ujit afër San Franciscos në Kaliforni. Tom Linville thotë se është me rëndësi jetësore që të vrojtohet vazhdimisht furnizimi me ujë.

“Nëse bëhet fjalë për një kërcënim të mundëshëm të një lënde në sistemin e ujit, do të duhet që të gjitha provat të bëhen në laborator në mënyrë të zgjeruar, çfarë do të kërkojë disa ditë për zbulimin e agjentit. Ndërsa projekti ynë, nëse realizohet, do të bëjë të mundur analizat e ujit në rezervuar”.

Gjithashtu ka patur shqetësime se terroristët mund të përdorin materiale radioaktive. Shkencëtarët në Arizona kanë prodhuar një lloj ilaçi që të mbron nga doza vdekjeprurëse e rrezatimit. Mark Witten shpjegon se kur mund të jetë i nevojshëm përdorimi i këtij ilaçi. “Nëse terroristët përdorin një bombë radioaktive, pra bashkimi i materialeve radioaktive me eksplozivë, ose nëse ata gjejnë apo përdorin një bombë bërthamore”.

Ilaçi quhet Radilex. Një kimikat që ka lidhje me ilaçin që përdoret në Azi për t’u mbrojtur nga SARS, dhe lloje të tjera të gripeve.

XS
SM
MD
LG