Lidhje

Washington Post: Stoqet e armëve kimike të Shqipërisë krijojnë frikë për praninë e tyre në vende të tjera - 2005-01-10


Në artikull thuhet se sasia e këtyre lëndëve në Shqipëri është e vogël krahasuar me rezervat e armëve të tilla që kanë Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, por siç shpjegon edhe autori,Joby Warrick, i cili ishte lejuar nga autoritetet shqiptare të vizitonte stoqet kimike në periferi të Tiranës, ajo krijon shqetësime për zyrtarët amerikanë pikërisht për faktin se përfaqëson njërin ndër dhjetra stoqe të tilla të padokumentuara ose të siguruara keq që ekzistojnë sot në botë dhe që mund të shfrytëzohen nga terroristët duke krijuar efekte vdekjeprurëse.

Lëndët kimike të zbuluara në Shqipëri, thueht në artikull, përfshijnë iperitin, një nga helmet e përdorura nga Saddam Husseini kundër kurdëve në vitet 80, si dhe luizitin dhe adamsitin, që të dy me bazë arsenikun - një lëndë me veprim mjaft të fortë helmues.

Megjithatë, këto helme nuk u afrohen për nga efekti lëndëve të tilla helmuese moderne si agjenti nervor sarin apo VX. Të 16 tonët e zbuluar, teorikisht përmbajnë lëndë të mjaftë për të krijuar miliona doza vdekjeprurëse. Sipas ekspertëve të armëve, nëse këto lëndë përdoren të planifikuara mirë në një mjedis të mbyllur dhe me shumë njerëz, mund të shkaktojnë vdekjen e qindra ose mijra njerëzve.

Zbulimi, muaj më parë, i kësaj sasie lëndësh kimike, shkruan Washington Posti, ka rëndësi edhe sepse ai konfirmon me sa duket diçka për të cilën ekspertët amerikanë të zbulimit kanë dyshuar prej kohësh: rolin e Kinës në të kaluarën si përhapëse e teknologjisë së armëve kimike.

Gjithnjë sipas gazetës, analistët thonë se është teorikisht e mundur që në Shqipëri të zbulohen edhe sasi të tjera ende të paditura lëndësh helmuese. Por zyrtarët shqiptarë të mbrojtjes thonë se vendi nuk ka sasi të tjera armësh kimike. Megjithatë, ata e pranojnë se nuk kanë mundur të gjejnë asnjë dokument ku të sqarohet se si u blenë lëndët helmuese në fjalë.

Në fund të muajit gusht, Senatori Richard Lugar, kryetar i komisionit të senatit për politikën e jashtëme, vizitoi Shqipërinë dhe foli për planet e Shteteve të Bashkuara për asgjësimin e këtyre armëve. Shqipëria do të jetë vendi i parë jashtë bllokut ish sovjetik ku po zbatohet i ashtuquajturi program Nunn-Lugar për asgjësimin e armëve të shkatërrimit në masë me ndihmën financiare amerikane.

Planet janë që shkatërrimi i këtyre lëndëve kimike të fillojë në vitin 2006, kur në Shqipëri të arrijë nga Shtetet e Bashkuara një pajisje e lëvizëshme për këtë qëllim.

Senatori Lugar thotë se asgjësimi i këtyre armëve, të tilla si ato që u gjetën në Shqipëri, duhet të jetë pothuajse në krye të përparësive të Shteteve të Bashkuara. Shqipërisë do ti jepen 20 milion dollarë ndihmë amerikane për asgjësimin e stoqeve kimike.

Shqipëria, thuhet në artikullin e sotëm të Uashington Postit, është lavdëruar nga zyrtarët ndërkombëtarë për faktin që e deklaroi menjëherë ekzistencën e këtyre armëve dhe mori masa për sigurimin e tyre.

XS
SM
MD
LG