Lidhje

Sëmundjet e zemrës: Transplantimi i fijeve nervore: Efektet e alkoholit


Studim mbi sëmundjet e zemrës

Ndërsa dy studime të reja në fushën e sëmundjeve të zemrës tregojnë se vetëm ulja e nivelit të kolesterinës mund të mos jetë hap i mjaftueshëm për parandalimin e një goditjeje në zemër. Shkencëtarët kanë vënë re se krahas nivelit të lartë të kolesterinës, është edhe niveli i inflamacionit të artereve që shton rrezikun e goditjeve në zemër. Çdo vit qindra mijëra amerikane pësojnë goditje në zemër apo bllokim të artereve koronare, pavarësisht nga niveli normal i kolesterinës. Doktor Steven Nisen i klinikës së Klevelandit thotë se duke parë nivelet e kolesterinës si dhe nivelin e inflamacionit brenda artereve të pacientit u shpjeguan disa probleme. Gjithnjë e më shpesh po vihet re se kur arteret përbrenda janë të prekura apo të acaruara, kolesterina dhe pllakëzat e kane kanë më të lehtë për t’u grumbulluar përgjatë mureve të brendëshme të artereve. Me kalimin e kohës inflamacioni ose ky acarim mund të bëjë që pllakëzat të pësojnë frakturë, duke bllokuar qarkullimin e gjakut, gjë që bëhet shkak për goditje në zemër. Doktor Paul Riker i spitalit Brigham thotë se të dhënat e reja tregojnë se ulja e shkallës së inflamacionit pakëson dukshëm rrezikun nga goditjet në zemër. Në studim u morrën në shqyrtim pacientë që kishin pësuar goditje në zemër dhe që përpiqeshin të shmangnin një goditje të dytë. Gjatë studimit, niveli i kolesterinës ra dukshëm, ndërsa me uljen e nivelit të inflamacionit, rreziku ndaj goditjeve në zemër pakësohej me 50 përqind.Shkencëtarët thonë se niveli i inflamacionit të artereve mund të matet nëpërmjet një analize të thjeshtë gjaku. Niveli i inflamacionit mund të ulet nëpërmjet ilaçeve si dhe nëpërmjet dietave, rënies nga pesha, ushtrimeve fizike dhe heqjes dorë nga duhani.

Transplantimi i fijeve nervore

Ndërkohë, një procedurë tepër e guximshme e transplantimit të fijeve fijeje nervore po u jep shpresë pacientëve me gjymtyrë të paralizuara. Askush nuk kishte parashikuar një shenjë kaq pozitive, pas 16 muajsh dora e Dylanit po jep shenja jete, çka tregon se transplantimi i fijes nervore mund të jetë i sukseshëm. Operacioni zgjati 7 orë. Fijet nervore mjekët i morrën nga këmba e pacientit dhe i transplantuan ato në një pjesë të shtyllës kurrizore e dëmtuar nga një aksident me motorçikletë. Kirurgu Andrew Elkwood shpjegon se si atij iu desh të ndërhynte në dyja anët e qafës së pacientit për të bërë një lidhje shtesë të nervit në shtyllën kurrizore duke kapërcyer nervin e dëmtuar. Shenjat janë tepër pozitive. Gishtat e dorës kanë filluar të lëvizin dhe të gjitha të dhënat tregojnë se nervi do të riaktivizohet.

Nje gjen kundër efekteve të alkoholit

Kohët e fundit, shkencëtarët kanë veçuar një gjen tek minjtë, i cili mund të kontrollojë reagimin e njerëzve kur ata ndalojnë pirjen e alkoholit. Shkencëtarët shpresojnë se këto studime mund t’i bëjnë ata të njihen më mirë me efektet e alkoholit tek njerëzit. Një mbrëmje në qytet, duke pirë me miqtë mund të jetë diçka e bukur, por shkencëtarët kanë zbuluar se konsumimi i vazhdueshëm, apo në sasi të mëdhe i pijeve bën që truri t’u përshtatet efekteve të alkoholit, apo etanolit. Ky proces ndodh në qelizat e trurit të njerëzve që e pijnë rregullisht alkoholin, pijanecëve kronikë, duke krijuar një numër më të madh molekulash, që quhen receptorë. Këta receptorë mund të marrin sinjale nga qeliza të tjera. Kjo e vështirëson gjendjen për atë që vendos ta lerë alkoholin, duke e detyruar trupin e tij të tërhiqet, apo rezervohet. Ja si e shpjegon këtë proces Sid Strickland, studjues në Universitetin Rockfeller të New Yorkut: “Në se ndërpritet menjëherë etanoli, veprimi i tij në organizmin e njeriut nuk largohet menjëherë, por vazhdojnë të mbeten receptorët dhe një ndjeshmëri e lartë, e cila çon në një gjendje të acaruar të njeriut që është mësuar të pijë alkohol.” Shkencëtarët në Universitetin Rockfeller kanë studjuar efektet e alkoholit dhe mendojnë se kanë gjetur një gjen që mund të kontrollojë procesin e përshtatjes së organizmit. Gjatë konsumimit të alkoholit, gjeni i quajtur TPA, ndihmon në krijimin e një enzime, e cila krijon receptorë shtesë. Shkencëtarët thonë se përdorimi i ilaçit të quajtur Ifenprodil mund ta bllokojë gjenin TPA. Deri tani, shkencëtarët kanë mundur t’i pakësojnë simptomat e tërheqjes tek minjtë. Sid Strickland shpjegon se kjo mund t’i ndihmojë njerëzit. “Ideja do të ishte se në se një person ka abuzuar vazhdimisht me alkololin, që përmban etanol, dhe në një moment ai kërkon ta ndërpresë të pirët, ilaçi i ri mund ta frenojë prodhimin e kësaj enzime dhe kjo do të pakësonte efektet e tërheqjes së menjëhershme.” Megjithëse do të duhen vite për përdorimin e ilaçit Ifenprodil tek njerëzit, ky përbën një hap të ri për njohjen me efektet e alkoholit tek truri i njeriut.

XS
SM
MD
LG