Lidhje

Indonezia arrin armëpushim me rebelët në Aceh - 2005-01-11


Indonezia njoftoi se ka arritur një armëpushim të përkohshëm me grupet rebele në provincën Aceh të goditur rëndë nga cunami. Pas tragjedisë së dhjetorit, zyrtarët i paralajmëruan punonjësit e ndihmave për kërcënime nga rebelët e Lëvizjes për një Aceh të Lirë, të cilët që prej 30 vjetësh luftojnë kundër qeverisë.

Kryengritësit kanë hedhur poshtë akuzat e qeverisë, sipas së cilave ata kishin sulmuar kolonat e furnizimeve me ndihma dhe u angazhuan se nuk do t’u bëjnë asgjë të keqe punonjësve humanitarë. Punonjësit e ndihmave thonë se nuk janë të shqetësuar nga sulmet rebele, por një zëdhënës i Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar i ka thënë Zërit të Amerikës, se punonjësit e ndihmave i mirëpresin marrëveshjet që zbusin tensionet. Ndërkohë, ekspertët ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore ndodhen në Tailandë dhe Sri Lanka për të ndihmuar në identifikimin e të vrarëve.

Zyrtarët shpresojnë të identifikojnë mijëra trupa që ndodhen në varreza masive nëpërmjet shenjave të gishtërinjve dhe kampionëve të ADN-së. Në Tailandë, ku shumë prej të zhdukurve janë të huaj, zyrtarët kanë krijuar Qendrën për Identifikimin e Viktimave për të bashkrenduar përpjekjet. Ky operacion pritet të zgjasë mbi gjashtë muaj. Përpjekjet e ndihmave vazhdojnë në të gjithë Azinë jugore ndërkohë që punonjësit kërkojnë trupat, pastrojnë mbeturinat, rindërtojnë infrastrukturën dhe përpiqen të parandalojnë përhapjet e epidemive.

Agjencitë botërore të ndihmave dhe zyrtarët qeveritarë u mblodhën në konferencën e Kombeve të Bashkuara për të diskutuar se si do të përdoren 4 miliard dollarët e premtuar në ndihmë të viktimave të cunamit të muajit të kaluar. Konferenca e mbajtur sot në Gjenevë mblodhi zyrtarë nga 80 vende, duke përfshirë 12 vendet e prekura nga tragjedia. Drejtori i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Andrew Natsios, tha se takimi synonte bashkrendimin e ndihmave dhe përgatitjen e planit afatgjatë të rindërtimit të vendeve të prekura. Jan England, koordinatori i ndihmave të Kombeve të Bashkuara, pritet të theksojë përsëri nevojën e dërgimit të menjëhershëm të ndihmave viktimave.

XS
SM
MD
LG