Lidhje

Buçkovski kërkon ndihmën e qeverisë shqiptare në përcakimin e kufijve të shtetit të tij me Kosovën - 2005-01-12


Kryeministri i Maqedonisë Vlado Buçkovski ka kërkuar sot ndihmën e qeverisë shqiptare në përcakimin e kufijve të shtetit të tij me Kosovën. Në përfundim të takimit të tij me kryeministrin shqiptar Fatos Nano në Tiranë, zoti Buçkovski tha se qeveria e tij dëshiron që shënimi i kufirit të nisë simbolikisht në trekndëshin Maqedoni, Shqipëri, Kosovë. Lidhur me emrin e Maqedonisë kryeministri Nano u shpreh se Tirana është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj cështjeje për të cilën Shkupi ka përplasje me Athinën.

Prej kohësh mes Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk ka çështje të hapura apo problematike. Stabilizimi i gjendjes së popullsisë shqiptare atje, ka bërë që marrëdhëniet mes dy vendeve të fokusohen kryesisht në bashkëpunimin ekonomik dhe atë të integrimit euroatlantik si një objektiv drejkt së cilit shohin të dy kryeqytetet. Kontaktet në të gjitha nivelet janë të shpeshta dhe sot të dy kryeministrat, ai shqiptar Fatos Nano dhe ai maqedonas Vlado Buçkovski nuk ngurruan t'i përcaktojnë marrëdhëniet dy palëshe si të shkëlqyera dhe si një shembull i mirë në rajon.

Një nga temat e diskutimeve të sotme ka qenë edhe ajo e përcaktimit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë, një proces të cilin Shkupi dëshiron ta përfundojë përpara caktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Vija kufitare është një problem që mund të shkaktojë probleme pasi mund të çojë në ndarjen e fshatrave, të pronave apo dhe të vetë familjeve dhe si e tillë mbart rrezikun e nxitjes së tensioneve. Pikërisht për këtë Shkupi kërkon mbështetjen e Tiranës:

"Kërkuam ndihmë nga Republika e Shqipërisë, tha kryeministri Buçkovski, në lidhje me shënimin e kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës, me atë që shënimin e kufirit do ta fillonim në mënyrë simbolike midis trekëndëshit mes Maqedonisë Shqipërisë dhe Kosovës. Në lidhje me gjithë këte kuptohet, nevojitet edhe përkrahja e Unmik-ut por edhe e Beogradit zyrtar dhe të përfaqësuesve të Prishtinës".

Kryeministri Nano nga ana e tij e ka përshëndetur këtë nismë dhe është angazhuar që ti kushtojë asja vëmendjen e duhur në kuadrin e zgjidhjeve hap pas hapi të të gjithë çështjve që prfshin rezoluta e Kombeve të Bashkuara për Kosovën e duke kërkuar dhe praninë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit europian:

"Ne do të punojmë së bashku që ceremony të tilla të evidentojnë dhe të konsolidojnë bashkëpunimin midis nesh, të ftojmë dhe të kemi të pranishëm autoritete përfaqësuese të Uashingtonit apo të Brukselit".

Lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë, një çështje e cila rifitoi ndjeshmëri pas njohjes nga Shtetet e Bashkuara duke rizgjuar nga ana tjetër përplasjet me Greqinë, kryeministri Nano u shpreh se Shqipëria është e gatshme të kontribuojë në cilësinë e anëtarit të OKB-së dhe në të gjitha kontaktet ndërkombëtare për zgjidhjen edhe në kuadrin e Këshillit të Sigurimit, të kësaj çështjeje. Sa më pak çështje të mbetura pezull nga e kaluara, tha kryeministri Nano, aq më i sigurtë do të jetë stabiliteti dhe prosperiteti drejt integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit.

Vizita e zotit Buçkovski në Tiranë është e para që ai kryen si kryeministër jashtë vendit të tij. Ai u takua sot edhe me presidentin Alfred Mosiu dhe përfaqësues të tjerë të lartë të shtetit dhe do të ketë takime dhe me përfaqësues të pakicave maqedonase që jetojnë në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG