Lidhje

Klubi i Parisit ofron pezullimin e shlyerjes së borxheve nga vendet e prekura nga cunami  - 2005-01-13


19 vendet kreditore të Klubit të Parisit kanë ofruar të pezullojnë pagesat për shlyerjen e borxheve nga vendet e prekura nga cunami i muajit të kaluar në Azinë jugore.

Pas takimit në Paris, kryetari i grupit tha se çdo vend i prekur nga cunami përmbush kriteret e kualifikimit për ngrirjen e borxheve. Megjithatë, ai tha se vetëm Sri Lanka, Indonezia dhe Seychelles kanë shprehur interes për ofertën.

Indonezi i ka borxh Klubit të Parisit rreth 48 miliardë dollarë, kurse agjencia e lajmeve Blumberg, njofton se Sri Lanka i ka borxh grupit 11 miliardë e 600 milionë dollarë.

Klubi i Parisit tha se do të vendosë sesa kohë do të zgjatë pezullimi i pagesave, pasi Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar t’i japin fund procesit të vlerësimit të nevojava të këtyre vendeve.

Ministri francez i financave, Herve Gaymard, tha dje se moratoriumi për borxhet është i domosdoshëm për rimëkëmbjen e vendeve të prekura nga katastrofa. Ai tha gjithashtu se disa vende nuk do ta pranojnë ofertën me qëllim që të mbrojnë imazhin e tyre si huamarrës.

Në Washington, presidenti i Bankës Botërore, James Wolfensohn, tha se do të duhen javë ose muaj për të llogaritur sesa fonde u nevojiten këtyre vendeve për rindërtim dhe shtoi se përpjekjet e rindërtimit duhet të bëjnë më shumë sesa thjeshtë të ngrenë përsëri karakatina. James Wolfensohn tha se qeveritë po shqyrtojnë edhe mundësinë e krijimit të një sistemi financiar për të mbikqyrur shpenzimet.

XS
SM
MD
LG