Lidhje

Bush: trupat amerikane po japin ndihmesë të rëndësishme në rajonin e Azisë Jugore - 2005-01-13


Presidenti Bush tha se trupat amerikane po japin ndihmesë të rëndësishme për njerëzit e prekur nga cunami. Presidenti Bush u informua nga zyrtarët ushtarakë në Pentagon mbi përpjekjet e fundit të shpëtimit dhe për luftën kundër terrorizmit.

Presidenti Bush tha se është i impresionuar nga shpejtësia në përgjigjen e trupave amerikane ndaj katastrofës së cunamit.

"Dua t’ju them se ushtria jonë ka dhënë ndihmë të madhe në përpjekjet e shpëtimit për njerëzit në nevojë".

Disa nga kundërshtarët politikë të presidentit e kanë kritikuar atë për premtimin fillimisht të 35 milion dollarëve për viktimat e cunamit si shumë të vogël, duke patur parasysh fuqinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Zoti Bush e rriti shpejt këtë shumë në 350 milion dollarë dhe tha se Washingtoni po ndihmon tani për ta drejtuar ndihmën tek njerëzit më të prekur. ”Ka shumë zëra se disa vende në botë nuk e vlerësojnë Amerikën. Dua t’ju siguroj se ata që e kanë parë ndihmën e ushtrisë sonë e vlerësojnë Amerikën”, tha zoti Bush.

Informimi i presidentit nga zyrtarët e Pentagonit përfshinte edhe njoftimet e fundit nga lufta kundër terrorizmit. Zoti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë duke rishikuar strategjitë e tyre dhe e pranojnë se fitorja e luftës kërkon koordinimin e përpjekjeve si brenda qeverisë amerikane ashtu edhe me vendet e tjera që siç tha presidenti e kuptojnë rëndësinë e saj.

”Jemi të kënaqur nga përgjigja në mbarë botën. Unë e vlerësoj faktin që shumë vende e kuptojnë se duhet të punojmë së bashku për të mposhtur këta vrasës. Unë jam i ndërgjegjshëm për faktin se duhet të rishikojmë planet tona dhe asnjëherë të mos humbasim vullnetin.”

Informimi i presidentit bëhet një ditë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se kërkimi për armët e shkatërrimit në masë në Irak ka përfunduar.

Kërcënimi i këtyre armëve ishte justifikimi më i madh i presidentit për të ndërhyrë në Irak por asnjë nga këto armë nuk u gjet. Zyrtarët amerikanë thanë se raportet e zbulimit ishin të gabuara dhe presidenti ka caktuar një komision për të gjetur arsyen.

Pavarësisht mungesës së armëve kimike, biologjike dhe bërthamore në Irak, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan tha se vendimi për rrëzimin e regjimit të Sadam Huseinit ishte i drejtë pasi ai kishte mundësinë të rifillonte programin e tij të armëve të paligjshme.

Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se presidenti duhet tu shpjegojë amerikanëve arsyen pse kishte gabuar për një kohë të gjatë për arsyet e luftës.

Në një intervistë televizive të planifikuar për tu transmetuar nesër, presidenti Bush thotë se besonte që trupat amerikane do të gjenin armë të shkatërrimit të masë në Irak. Ai thotë se Sadami ishte i rrezikshëm dhe bota është më e sigurtë tani që ai nuk është më në fuqi.

XS
SM
MD
LG