Lidhje

Maqedoni: dy partitë kryesore shqiptare nënshkruajnë marrëveshje - 2005-01-13


Në Maqedoni dy partitë kryesore politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare nënshkruan sot në Tetovë një marrëveshje të përbashkët për zgjedhje vendore të lira dhe demokratike. Dy partitë zotohen se do të kontribojnë që zgjedhjet e ardhshme vendore që janë caktuar për 13 mars të këtij viti të zhvillohen të atmosfrë të qetë dhe pa incidente.

Udhëheqësit e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare nëpërmjet marrëveshjes së arritur bëjnë të ditur se do të angazhohen që zgjedhjet vendore të 13 marsit të zhvillohen të lira dhe demokratike, me qëllim të parandalimit të përçarjeve dhe incidenteve të mundshme në radhët e elektoratit shqiptar në Maqedoni. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Arben Xhaferi.

Sipas kësaj marrëveshjeje struktura të caktuara politike që tentojnë të organizojnë incidente dhe dhunë gjatë zgjedhjeve, nuk do të kenë mbështetjen e këtyre dy partive kryesore dhe se ato do të dënohen fuqimisht. Dy partitë janë zotuar që fushata parazgjedhore të jetë e qetë dhe pa tensione. Ato angazhohen që që gjatë fushatës të mos ketë sulme apo fyerje personale ndërmjet zyrtarëve apo kandidatëve të dy partive. Poashtu Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare angazhohen që të formojë komisione të përbashkëta zgjedhore nëpër komuna.

Në 18 komisione komunale në komunat me shumicë të popullsisë shqiptare,këto dy parti do të ndajnë përgjegjësit e tyre për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në radhët e elektoratit shqiptar. Bashkimi Demokratik për Integrim do të drejtoj komisionet në Gostivar dhe Strugë, ndërkaq Partia Demokratike Shqiptare në Tetovë dhe në disa komuna të Shkupit. Marrëveshja e arritur parasheh edhe ndërprerjen e votimeve grupore nëpër disa zona shqiptare dhe zbatimin e procesit votues një qytetarë, një votë.

Dy udhëheqësit e partive kryesore politike thanë se qëllimi i kësaj marrëveshje është se shqiptarët përfundimisht duhet të votojnë në mënyrë të lirë, demokratike dhe pa presione të ndryshme politike. Sipas tyre, zonat shqiptare nuk do të jenë objekt diskutimesh dhe kritikash për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Maqedoni.

Në Maqedoni më 13 mars do të zhvillohen zgjedhjet vendore, me ç‘rast qytetarët do të votojnë për zgjedhjen e udhëheqësve komunal në 80 komunat e reja, të cilat në bazë të ligjit të ri të decentralizimit do të jenë të pavarura nga pushteti qendror dhe do kenë kompetenca të gjëra në aspektin e drejtimit të pushtetit vendor.

XS
SM
MD
LG