Lidhje

Vazhdojnë përpjekjet e ndihmave në Azinë Jugore - 2005-01-13


Kreu i Kombeve të Bashkuara për ndihmën humanitare thotë se është i shqetësuar për kufizimet e njoftuara për përpjekjet e ndihmave në provincën Aceh të Indonezisë. Zyrtarët indonezianë kanë deklaruar ditët e fundit se punonjësit e ndihmave dhe eksortet e tyre ushtarake janë të detyruar të regjistrohen, kur dalin jashtë qyteteve të goditura rëndë Banda Aceh dhe Meulaboh. Qeveria tha se eksortat janë të nevojshme për të mbrojtur punonjësit nga kryengritësit e provincës Aceh. Autoritetet thanë gjithashtu se duan që trupat e huaja të largohen nga vendi në fund të marsit, ose edhe më herët.

Shefi i OKB-së për ndihmat, Jan Egeland thotë se gjëja më e rëndësishme është tani që të shpëtohen jetë njerëzish dhe të mos vihen afate. Një zyrtar i lartë i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar i tha Zërit të Amerikës se punonjësit e kësaj agjencie në Aceh nuk kanë vënë re ndonjë ndryshim të procedurave që kur qeveria shpalli masat e reja.

Përpjekjet e ndihmave vazhdojnë në gjithë Azinë Jugore, ndërkohë që të mbijetuarit pastrehë nga cunami në Azi, janë tani veçanërisht të ekspozuar ndaj sëmundjeve si malarja dhe kolera. Banka e Azisë për Zhvillim llogarit se rreth 2 milionë njerëz mund të hyjnë në kategorinë e të varfërve, si rezultat i cunamit. Numri i të vdekurve nga katastrofa ka arritur në 160 mijë.

XS
SM
MD
LG