Lidhje

Presidenti Moisiu: Të bëhen përpjekje për garantimin e votës - 2005-01-14


Në Shqipëri, Presidenti Alfred Moisiu deklaroi sot se zgjedhjet parlamentare të këtij viti janë një sfidë për të ardhmen e vendit, prandaj kërkoi që të bëhen të gjitha përpjekjet për garantimin e votës dhe për të shmangur hyrjen në politikë të individëve të lidhur me tregun informal dhe krimin e organizuar. Këto komente kreu i shtetit i bëri sot pasdite, gjatë një pritjeje që ai bëri me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.

Presidenti Moisiu tha sot se miratimi para pak ditësh i kodit të ri zgjedhor, ndonëse i vonuar, është një arritje e rëndësishme. Ai shprehu keqardhjen për mosmarrjen në konsideratë të sugjerimeve të tij për përfshirjen në kod të ndryshimeve që do t’i njihnin një status të ri veçanërisht për pjesëmarrjen në komisionet zgjedhore, dy formacioneve të reja politike, Lëvizjes Socialiste për Integrim të ish kryeministrit Ilir Meta dhe Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar të pretendentit të Fronit Mbretëror Leka Zogu. Ai u shpreh se kishte dëshiruar që përmirësimet të siguronin një fillim dhe kushte të barabarta për të gjithë konkurrentët elektoralë.

Presidenti përsëriti edhe një herë rëndësinë që paraqesin për vendin zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Ai deklaroi gjatë pritjes së rezervuar për ambasadorët e shteteve të huaja që janë akreditur në Shqipëri, se zgjedhjet mbeten një sfidë më vete për vendin, për klasën politike dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ai kërkoi që të bëhen të gjithë përpjekjet jo vetëm për garantimin e votës, por edhe për të shmangur hyrjen në politikë të individëve të lidhur me tregun informal dhe krimin e organizuar. Për interesat e Shqipërisë saktësoi presidenti Moisiu, më e rëndësishme se sa fituesi i zgjedhjeve është mënyra se si do të zhvillohen ato.

Duke folur për zhvillimet në vend, kreu i shtetit tha se shqiptarët presin më shumë nga institucionet, qeveria, politika dhe politikanët. Ata duan më shumë vende pune, siguri dhe shpresa për të ardhmen e tyre, u shpreh Presidenti, sipas të cilit ndalimi i trafiqeve duhet të shoqërohet me rritje të investimeve të huaja dhe të shanseve për një zhvillim ekonomik më të madh dhe në rritje të vazhdueshme. Vendi,-theksoi ai,- ka nevojë për ecje më të shpejtë dhe të sigurtë të reformave, forcim më të madh të shtetit ligjor, luftë ndaj fenomeneve negative, veçanërisht kundër korrupsionit, si dhe rritje të stabilitetit politik.

XS
SM
MD
LG