Lidhje

Përgatitjet për inaugurimin e presidentit Bush drejt përfundimit - 2005-01-14


Inaugurimet e presidentëve janë të sanksionuara në Kushtetutë. Aty thuhet se presidenti duhet të përsërisë betimin prej 35 fjalësh, në të cilin premton se do të “ruajë dhe mbrojë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.”

Presidenti duhet të bëjë betimin më 20 janar. Para vitit 1937, inaugurimi i presidentit zhvillohej më 4 mars.

Inaugurimi i parë presidencial u zhvillua në 1789, kur presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara bëri betimin në New York. Presidenti Washington u bë nismëtar i një numër traditash me rastin e kësaj dite, ku përfshihet bërja e betimit duke vënë dorën mbi Bibël. Martin Kranz është historian në Bibliotekën e Kongresit: "George Washingtoni vendosi disa tradita. Për shembull: Kur po përgatitej për të bërë betimin, arriti në përfundimin se i duhej një bibël. Ndihmësit e tij dolën të kërkonin një bibël, të cilën e morën nga një tempull Mesonik. Ajo bibël u përdor më pas edhe nga disa presidentë të tjerë."-thotë ai.

Tradicionalisht, presidenti e bën betimin para Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Kryetari i Gjykatës William Rehnquist ka thënë se do të përmbushë këtë detyrë këtë vit, megjithëse aktualisht vuan nga kanceri i tiroideve.

Ceremonia e inaugurimit do të zhvillohet në pjesën perëndimore të Kapitolit, para një grumbulli të madh njerëzish. Këtë traditë e vendosi presidenti Ronald Reagan në vitin 1981. Para kësaj, ceremonia e inaugurimit zhvillohej në pjesën lindore të Kapitolit, përballë Gjykatës së Lartë.

Historiani Marvin Kranz thotë se traditat e inaugurimit rrallë herë ndryshojnë. “Është bërë traditë për më se 100 vjet që ceremonia të zhvillohet në Kapitol. Përjashtimi i vetëm ishte rasti i Franklin Ruzveltit në vitin 1945. Ai ishte i sëmurë, prandaj ceremonia u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë.”- thotë Kranz.

Pasi bën betimin, presidenti mban një fjalim, i cili zgjat 15 - 20 minuta. Fjalimin më të shkurtër me rastin e inaugurimit e ka mbajtur George Washingtoni në vitin 1973, kur foli për afro 2 minuta.

Fjalimin më të gjatë e ka mbajtur William Henry Harrison në vitin 1841. Ai foli për afro 2 orë. Historiani Marvin Kranz thotë se vendosmëria e zotit Harrison për të lexuar deri në fund fjalimin megjithë motin e keq, e dëmtoi presidentin: “Ishte fjalimi më i gjatë dhe presidenca më e shkurtër. Ai vdiq një muaj më pas, ngaqë ndoshta kishte marrë ndonjë të ftohur. Ai donte të tregohej i vendosur dhe qëndroi në mes të acarit pa pallto për të mbajtur fjalimin, por vdiq një muaj më pas.”- thotë historiani.

Presidenti Harrison ishte gjithashtu i pari president amerikan, për nder të të cilit u zhvillua një paradë, e cila përshkon bulevardin Pensilvania nga Kapitoli, deri në Shtëpinë e Bardhë. Kjo traditë e ka zanafillën në paradat e improvizuara për nder të presidentëve Washington dhe Jefferson. Këtë vit 11 mijë vetë do të marrin pjesë në paradë, përfshirë edhe 14 banda dhe pjesëtarë të forcave të armatosura.

Kevin Sheridan, i Komisionit për Inaugurimin e Presidentit, i cili organizon veprimtaritë me rastin e kësaj dite, thotë se rolit të ushtrisë amerikane do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë gjatë kësaj ceremonie: “Kjo ceremoni është një festë për demokracinë dhe lirinë tonë. Këtë vit nderojmë në veçanti burrat dhe gratë që shërbejnë në radhët e ushtrisë në vend dhe jashtë kufijve. Por mbi të gjitha ceremonitë janë festim i lirisë dhe demokracisë.”- thotë Sheridan.

Dita e Inaugurimit përfundon me një numër ballosh, ku marrin pjesë për pak minuta edhe Presidenti dhe Zonja e Parë për të përshëndetur përkrahësit, të cilët shpesh paguajnë disa qindra dollarë për të marrë pjesë në këto festime.

Martin Kranz thotë se tradita e ballove është zgjeruar me kalimin e viteve: “Deri nga mesi i shekullit të 20-të zhvillohej vetëm një ballo ceremoniale në një sallë të madhe në Washington. Por kohët e fundit, mendoj me synimin për të ftuar sa më shumë njerëz dhe për të grumbulluar sa më shumë fonde për partinë në pushtet zhvillohen disa ballo në gjithë qytetin dhe presidenti përpiqet të marrë pjesë për disa minuta në secilën prej tyre. Pas ceremonisë së inaugurimit trafiku në Washington është tmerr.”- thotë historiani.

Sipas llogaritjeve të organizatorëve, ceremonitë e këtij viti do të kushtojnë 40 milion dollarë, pjesa më e madhe e kësaj shume e mbuluar nga burime private, përfshirë korporata dhe donatorë. Pritet që të meren masat më të rrepta të sigurimit në historinë e Amerikës, pasi ky është inaugurimi i parë presidencial pas sulmeve të 11 shtatorit.

Organizatorët parashikojnë se rreth 200 mijë vetë do të marrin pjesë në veprimtaritë për inaugurim, ku përfshihen ceremonia ku presidenti bën betimin, parada, koncertet dhe ballot festive.

XS
SM
MD
LG