Lidhje

Bush: reformimi i sistemit të pensioneve-nevojë urgjente dhe e pashmangshme - 2005-01-15


Presidenti Bush fillon mandatin e tij të dytë javën e ardhshme pas inaugurimit në Kongresin amerikan të enjten. Një ndër përparësitë kryesore të katër viteve të ardhshme është reformimi i programit federal të pensioneve, i njohur me emrin Sigurimet Shoqërore.

Presidenti Bush shprehet që punonjësit më të rinj duhet të investojnë një pjesë të kursimeve për pensione në tregun e aksioneve, ku ai mendon se ata mund të marrin një përqindje më të lartë fitimesh se sa po të vazhdojnë të paguajnë në fondin e Sigurimeve Shoqërore.

Brezi më i ri do të ketë nevojë për më shumë para kur të arrijë moshën e pensionit, pasi nëse nuk reformohet sistemi aktual i sigurimeve shoqërore, fondet e tij do të shterojnë duke filluar nga viti 2018, me pakësimin e numrit të punonjësve aktivë që derdhin para në fond për pagimin e një numri gjithnjë e më të madh pensionistësh.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush tha se nëse nuk reformohen Sigurimet Shoqërore, ato mund të mos mbulojnë dot pagesat e pensioneve për brezat e ardhshëm:

“Për çdo vit që shtyjmë më tej zgjidhjen e krizës që na pret, e rrisim edhe më shumë çmimin që do të paguajnë fëmijët dhe nipat tanë. Sipas llogaritjeve, nëse presim edhe një vit tjetër, kostoja e reformimit të Sigurimeve Shoqërore shtohet me 600 miliard dollarë. Nëse nuk veprojmë tani, qeverisë do t’i mbeten vetëm 2 rrugëdalje: të ulë në masë dramatike përfitimet financiare për pensionet, ose të vërë në zbatim një rritje taksash që do të kishte efekte shkatërrimtare për ekonominë. Nëse u lëmë fëmijëve një gjendje të tillë, nuk bëjmë tjetër veçse i tradhëtojmë ata,” tha presidenti Bush.

Kundërshtarët politikë të presidentit Bush thonë se privatizimi i sigurimeve shoqërore do të pakësonte shumat e pensioneve për brezin e moshuar dhe do të vinte në rrezik fondet e pensioneve për brezin e ri, duke i investuar kursimet e tyre në tregje financiare të pasigurta.

Në fjalimin e përjavshëm të demokratëve në radio, senatorja nga Michigani Debbie Stabenow tha se Washingtoni nuk duhet ta lërë të ardhmen e punonjësve amerikanë në dorë të fatit:

“Politika e sigurimeve nuk u krijua me idenë për të privatizuar fondet e pensioneve dhe për t’i investuar ato në aksione të rrezikshme. Ideja ishte që këto fonde të ishin një bazë e sigurtë e pensioneve,” thotë senatorja Stabenow.

Senatorja Stabenow thotë se kostoja e kalimit në një sistem të privatizuar do ta rriste deficitin buxhetor.

“Vendi ynë ndeshet aktualisht me deficitin më të madh buxhetor në historinë e tij. Rritja e borxheve mund të destabilizojë tregjet financiare, të rrisë interesat dhe të ngadalësojë ritmet e rritjes ekonomike,” thotë senatorja demokrate Stabenow.

Senatorja Stabenow tha se demokratët janë të gatshëm të punojnë me presidentin për të përmirësuar Sigurimet Shoqërore, por do t’i kundërvihen çdo përpjekjeje për të privatizuar këtë program.

Presidenti Bush ende nuk ka paraqitur ndonjë projekt-ligj për Sigurimet Shoqërore por thotë se nuk do të ketë rritje të taksave mbi të ardhurat për të kompensuar ndryshimet në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG