Lidhje

Kondoliza Rais-këshilltarja më e besuar e presidentit Bush për politikën e jashtme - 2005-01-15


Kondoliza Rais, kandidatja e presidentit Bush për postin e Sekretares së Shtetit pas largimit nga ky post të Sekretarit Colin Powell, do të dalë javën e ardhshme para Senatit në një seancë pyetje-përgjigjesh që i paraprin miratimit të kandidaturës së saj. Por kush është Kondoliza Rais dhe çfarë do të sjellë emërimi i saj si Sekretare e Shtetit?

Kondoliza Rais, ose Kondi, siç i referohet presidenti Bush, ka shërbyer si këshilltare e presidentit për Sigurimin Kombëtar, që kur Xhorxh Bush erdhi në Shtëpinë e Bardhë në janar 2001. Ajo është këshilltarja më e besuar e presidentit për politikën e jashtme, gjë që e theksoi edhe kur e propozoi si Sekretare të ardhshme Shteti në nëntor 2004:

“Kondi Rais njihet nga të gjithë amerikanët dhe nga një pjesë e mirë e botës. Gjatë katër viteve të fundit jam mbështetur në këshillat e saj, kam përfituar nga përvoja e saj e madhe dhe e vlerësoj gjykimin e saj të shëndoshë. Tani ndjehem i nderuar që ajo ka pranuar të shërbejë në kabinetin tim. Sekretari i Shtetit është fytyra me të cilën Amerika i prezantohet botës, dhe bota do të gjejë tek zonja Rais fuqinë dhe fisnikërinë që karakterizon vendin tonë”

Zonja Rais thotë se pret me dëshirë të fillojë punën për një program ambicioz. Ajo lindi dhe u rrit në Birmingam të Alabamës, gjatë periudhës kur jugu i Shteteve të Bashkuara zbatonte politikat e ndarjes raciale. Fillimisht ajo dëshironte të bëhej pianiste, por më pas i lindi interesi për politikën e jashtme dhe mori edhe doktoratën në këtë fushë. Ajo ka dhënë mësim në Universitetin Stanford, si dhe ka shërbyer si Shefe e Zyrës së Financave të këtij universiteti. Përveç anglishtes, zonja Rais flet rusisht, frëngjisht dhe spanjisht. Ajo është një pianiste e zonja, amatore e patinazhit artistik dhe tifoze e zjarrtë e futbollit amerikan. Ajo biles është shprehur se karriera e saj e preferuar do të ishte të punonte si komisionere e Ligës Kombëtare të Futbollit.

Kondoliza Rais njihet prej vitesh me familjen Bush. Gjatë administratës së presidentit George Herbert Bush, babai i presidentit aktual, ajo shërbeu si eksperte për çështjet sovjetike në Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Ajo shërbeu si këshilltare e zotit Bush gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2000. Pasi u zgjodh president, zoti Bush e emëroi atë të kryesonte Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Në këtë post ajo u bë një ndër këshilltarët më të afërt të presidentit.

David Rothkof, i cili e ka intervistuar shpesh zonjën Rais për një libër që po shkruan mbi Këshillin e Sigurimit Kombëtar, thotë se ajo është shumë më e afërt me presidentin Bush se Sekretari aktual Colin Powell:

“Ajo ka qenë një këshilltare besnike e tij. Kolin Powell ka pasur një numër konfliktesh me Donald Rumsfeldin. Mendoj se duke caktuar zonjën Rais në këtë post, ai po përpiqet të ulë tensionet brenda administratës së tij. Mendoj se presidenti po dërgon një mesazh vazhdimësie, sikur po thotë: nëse ju pëlqeu politika e ndjekur gjatë administratës së parë, këtë radhë do ta çojmë edhe më tej,” thotë zoti Rothkof.

Çarls Kushman i Katedrës të Drejtimit Politik në Universitetin George Washington e mbështet këtë karakterizim:

“Ajo përfaqëson në mënyrë absolute dhe besnike pikëpamjet dhe përparësitë e presidentit, prandaj nuk do të ketë shumë tensione që i kemi parë nganjëherë ndërmjet çështjeve që donte të ngrinte Colin Powell, dhe përparësive të Shtëpisë së Bardhë. Nuk mendoj se ai problem do të shfaqet përsëri,” thotë zoti Kushman.

Dr.Kushman thotë se kjo do ta afrojë Departamentin e Shtetit më tepër me pjesën tjetër të administratës së presidentit Bush. Ai gjithashtu parashikon se zonja Rais ka përpara një seancë të vështirë pyetjesh në Senat, por do të arrijë të marrë miratimin si Sekretarja e ardhshme e Shtetit.

XS
SM
MD
LG